Transmetuar më 11-05-2021, 22:04

Një vajzë 20-vjeçare ka rrëfyer në emisionin ‘Historia ime’ në tvklan, fatin e keq me të cilin e ka përballur jeta.

Historia e saj ka filluar kur ajo dhe motrat e vëllezërit e saj u braktisën nga e ëma para 10 vitesh.

Ishin shumë të vegjël dhe u përballuan me një realitet komplet tjetër.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi para 10 vitesh?

20-vjeçarja: Prindërit u divorcuan, pastaj jeta ime, e motrave dhe vëllezërve të mi morën një rrjedhë tjetër. Mami u largua sepse nuk donte të jetonte më me babin dhe për shkak të kësaj i vuajtëm ne pasojat e largimit të mamit. Tani kontaktojmë me mamin, por tek shtëpia nuk vjen, është martuar me një tjetër.Mirela Milori: Si shkoi jeta juaj pasi nëna u largua?

20-vjeçarja: Çdo gjë shkoi keq, babi filloi të punonte vetë, mua dhe motrën tjetër na mbante motra që nuk shikon, me pensionin e saj na mbante me veshje, ushqime dhe për shpenzimet e shtëpisë. Babi pastaj nuk punonte dot më, u sëmur, u paralizua. Unë nuk dija të kujdesesha për veten dhe jo më për shtëpinë. Më pas babi dhe motra që nuk shikonte më mësuan të gatuaja, të laja rrobat vetë me dorë, të kujdesesha për to dhe për motrën e vogël që kishte nevojë për një nënë

Vajza tregon se kur i braktisi e ëma, ajo kaloi në depresion, kur shkonte në shkollë, shokët e shoqet e tallnin dhe e gjuanin, kështu ajo u bë agresive dhe i kthehej keq. Kur ishte në moshën 17 vjeç ajo u njoh me një djalë 18 vjeç me të cilin tani janë të martuar dhe kanë një fëmijë 14 muajsh.

20-vjeçarja: Kisha mendje që të vazhdoja shkollën dhe të ardhmen time, por Zoti donte dhe ma prishi mendjen që të vazhdoja një lidhje dhe të jem këtu ku jam.

Ajo tregon se në fillim babi i saj nuk donte dhe kur i kërkuan prindërit e djalit dorën, ai nuk pranoi sepse dëshironte që ajo të vazhdonte shkollën. Nga mërzia dhe frika se do e humbiste, ajo doli nga shtëpia dhe shkoi të jetonte me djalin që donte. Në shtëpi gjeti të ëmën, të atin dhe motrën e tij dhe iu dukën shumë të mirë, madje mendonte se ka gjetur dy prindër të tjerë që do e donin dhe do i donte dhe nuk do vuante më. Pasi ngeli shtatzënë ajo la punën dhe prindërit e tij filluan të silleshin keq me të dhe kjo periudhë zgjati gati 1 vit e gjysmë.

Ata kanë marrë një shtëpi me qira, por pa kushte. 20-vjeçarja është e sëmurë sepse ka një anemi të theksuar dhe sa del në diell, asaj i bie dhe të fiktë dhe nuk është në gjendje që të punojë. Ajo ka treguar se para disa kohësh kanë marrë kredi, por nuk kanë mundur ta paguajnë dhe janë zhytur në borxhe, kanë mbi 10 milion Lekë që nuk i kanë paguar.

Mirela Milori: Si jeton tani?

20-vjeçarja: Duke lypur tek të tjerët, ka raste që nuk ha fare sepse mendoj, mendoj dhe nga stresi nuk më hahet fare.

Dërshira dhe ëndrra e vetme e vajzës është që të jetë e lumtur sepse lumturia dhe dashuria e njerëzve i ka munguar gjithmonë.