Transmetuar më 11-05-2021, 19:05

Këto ditë ka nisur sezoni veror dhe shumë njerëz po shijojnë plazhet, sidomos fundjavave. Ndërkohë, qindra turistë të huaj kanë zbarkuar në plazhet tona në grupe. Ata futen dhe dalin nga vendi pa asnjë kontroll pandemik, pa testim dhe pa vërtetim nëse janë vaksinuar.

Ditët në vijim, njerëzit që do të vijnë nga jashtë do të shtohen shumë. Qeveria ka vendosur të mos kufizojë askënd që të hyjë në Shqipëri, duke synuar të shtojë turizmin. Turistët shqiptarë dhe të huaj do të hyjnë dhe dalin nga vendi pa kontrolle për shkak të pandemisë Covid-19.

E gjitha kjo, shihet si shqetësim nga ekspertët e Shëndetësisë që kanë parashikime të zymta për këtë sezon veror.

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Dr. Mira Rakacolli tha sot se i druhet rritjes së numrit të të infektuarve gjatë verës për shkak të lëvizjes së lirë të njerëzve.

Ajo apeloi që qytetarët të bëjnë kujdes dhe të ruhen sa më shumë, pasi siç theksoi, pandemia nuk ka mbaruar dhe shifrat nëpër botë janë shqetësuese.

Racakolli shprehu dhe një tjetër shqetësim. Ajo tha se mutacionet në qarkullim dhe të tjera që mund të ketë gjatë verës, mund të sjellin shtim vatrash infektimi në Shqipëri dhe një situatë e tillë do të rëndonte gjendjen në vend. Ndaj Rakacolli bëri thirrje që njerëzit të vazhdojnë të bëjnë kujdes.

"Po krijohet një lloj vetkënaqësie sikur pandemia ka mbaruar. Por nuk ka mbaruar, nuk duhet të genjehemi sepse akoma nuk ka mbaruar. Duhet të vazhdojmë të zbatojmë me rigorozitet masat. Vetëm nëse do të vazhdojmë të zbatojmë me rigorozitet masat ashtu si ne rekomandojmë, do t’ia dalim me sukses që të kalojmë një verë të qetë e me më pak”, – tha zv. ministrja e shëndetësisë.

Në përpjekje për lokalizimin e të infektuarve, Dr. Racakolli thotë se në Qendrat Shëndetësore në zonat turistike do të ketë teste të shpejta që arrijnë të dallojnë nëse një qytetar është i infektuar me COVID-19.

“Rapid testet do të jenë të pranishme nnë endrat Shëndetësore turistike për tu përdorur atëherë kur mjekët e gjykojnë të rëndësishme  për të bërë diagnozën diferenciale”, – u shpreh Rakacolli.

Shifrat e infektimeve po shënojnë ulje shpresëdhënëse ditët e fundit. Në 24 orët e fundit ishin 50 raste të reja. Ndër 131 mijë të infektuar gjithsej që nga 8 marsi 2020, rreth 120 mijë janë shëruar.

Sakaq rol po luan edhe vaksinimi. Deri sot në Shqipëri janë vaksinuar më shumë se 620 mijë persona. Një e treta e tyre kanë marrë të dyja dozat.

Popullsia që jeton në vend llogaritet të jetë rreth 2.8 milionë banorë. Nga këta, të paktën 30 për qind e popullsisë janë deri në 18 vjeç. Praktikisht në Shqipëri janë vaksinuar më shumë se një e treta e personave në moshë për vaksinim.