Historia e njeriut që hyri në burg 15 vjeç dhe kaloi 68 vite pas hekurave
Transmetuar më 11-05-2021, 12:19

Joe Ligno nga Pensilvania, i cili ka qëndruar në burg për plot 68 vite, më në fund tashmë është i lirë. Ai ka dalë nga burgu para pak kohësh.

Në një intervistë për BBC, Ligno rrëfen eksperiencën e tij për gati shtatë dekada në burg.

“Unë kurrë nuk kam qenë vetëm, por jam ndjerë i vetmuar. Preferoj të qëndroj vetëm për sa kohë më jepet mundësia.

Duke qenë në burg, kam qenë i mbyllur në një qeli tërë kohën, nga dita e arrestimit tim deri në ditën e lirimin tim. Unë isha ai tipi i personit, që sapo hyra në burg, as nuk dëgjoja, as nuk shikoja. Radio dhe televizioni ishin miqtë e mi.”

Ai thotë se brenda qelisë, pati kohën të reflektojë për gabimet dhe se mësoi nga gabimet, gjatë 68 viteve që kaloi prapa hekurave. Mbyllja në qeli e ndihmoi të qëndrojë larg telasheve.

“Nuk kisha shokë brenda, as miq jashtë. Por shumica e njerëzve me të cilët shoqërohesha, i trajtova sikur të ishin shokët e mi,” thotë ai.

Por si përfundoi Ligno në burg? Në vitin 1953 Ligno ndërroi shtëpi dhe u shpërngul në një lagje tjetër, ku nuk njihte asnjë. Një mbrëmje ai filloi të shoqërohej me disa persona, të cilët i takoi rastësisht. Ata u alkoolizuan dhe u konfliktuan me një grup tjetër djemsh. Nga konflikti dy persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë mbetën të plagosur.

Në momentin që mbërriti policia, Ligno kishte ngelur i vetëm në vendngjarje. Të tjerët ishin zhdukur. Kur policia e pyeti për emrat e të tjerëve, ai nuk u përgjigj, pasi nuk dinte emrat e tyre të vërtetë. Ai dinte vetëm pseudonimet. 15 vjeçari asokohe u akuzua për vrasje, një akuzë që ai gjithmonë e ka mohuar edhe pse ka pranuar në një intervistë me transmetuesin amerikan CBS, se ai goditi me thikë dikë që mbijetoi dhe kishte shprehur pendim për atë.që bëri. /K.B/NOA.al