Transmetuar më 11-05-2021, 11:30

Kryetari i PD-së Lulzim Basha nisi paraditen e sotme në Durrës, turin e takimeve pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit.

Përpara kandidatëve për deputet të kësaj partie për qarkun e Durrësit dhe me mbështetës të PD-së Basha tha se pushteti i lidhur me krimin dhe bandat vodhën votat e shqiptarëve që sipas tij ishin për ndryshim.

“E dimë fare mirë dhe e dinim edhe atëherë se përballë do të kishim bandat. Bandat e Durrësit, bandat e Shijakut, bandat e Krujës dhe të Fushë Krujës të bëra njësh me pushtetin më të korruptuar dhe të inkriminuar që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite të Edi Ramës. E dinim fare mirë se në muajt, madje në vitin pararendës, ky pushtet bëri gjithçka për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Ne u nisëm drejt një destinacioni që nuk na përkiste thjesht nesh. Nuk u nisëm për karriket e pushtetit, por u nisëm për të marrë të gjithë shqiptarët me vete drejt një ndryshimi real, të mundshëm dhe që do t’i shërbente çdo familje shqiptare. Do t’i shërbente pensionistëve që mezi mbajnë frymën gjallë. Do t’i shërbente të rinjve për të ëndërruar dhe për të bërë realitet ambiciet e tyre këtu në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë. Do t’i shërbente edhe atyre socialistëve që pasi u morën votën dhe ju premtuan legalizimet, u çuan fadromat në Durrës. Apo pasi i lanë të ndërtonin pa leje, ju çuan prapë fadromat dy ditë pas zgjedhjeve në Sarandë”, tha Basha.

Kryedemokrati u ndal edhe tek mekanizim që sipas tij përdori Edi Rama për të manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet.

“Të gjithë e dimë, demokrat e socialiste, blerjen masive të votës të orkestruar nga Edi Rama me ndihmën e të pandehurve akoma të padënuar të dosjes 339 të Ergys Çyrbes dhe bandës së Jul Ballës, të Ilir Ndrazhit dhe bandës  së  Altin Hajrit dhe klanit kriminal Rrahja dhe klaneve të tjera kriminale në Durrës dhe po kështu anë e mbanë Shqipërisë. Jemi dëshmitarë, madje edhe mediat ndërkombëtare kanë publikuar sesi  keqpërdorën thesarin e shtetit, paratë tuaja duke i mbajtur në fije të perit për bukën e gojës dhe pastaj në çastin e fundit duke shpenzuar vetëm 5 ditë para zgjedhjeve  në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, 89 herë më shumë para për të blerë votën e njerëzve të goditur dyfish nga varfëria dhe tërmeti dhe nga tradhëtia dhe braktisja e Edi Ramës.

Të gjithë jemi dëshmitarë sesi kërcënuan administratën publike sesi e përdorën atë, sesi punësuan në mënyrë të paligjshme dhe pastaj kanë filluar largimin nga puna, që nga Ardian Çela i OSHEE tek Benet Beci i KESH-it e Laert Duraj i Postës Shqiptare e dhjetëra e dhjetëra të tjerë dosjet e të cilave dergjen prej dy muajsh në SPAK dhe në Prokuroritë e vendit. Ne jemi jemi nisur për t’i çuar shqiptarët drejt një të ardhmeje më të mirë. 25  prilli është një masakër elektorale ku vullneti i  zgjedhësve u tjetërsua nga krimi i organizuar, shitblerja e votës dhe shkrirja e shtetit me partinë dhe shkrirja e partisë me shtetin.

Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të  ardhëm e tyre e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdoje deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”, u shpreh Basha në fjalën e tij.

Për kreu e opozitës beteja për kthimin e shtetit të se drejtës sapo ka filluar dhe do të vazhdojë deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi.

“Megjithatë, gjëja më e rëndësishme tani është të vazhdojmë betejën. Të vazhdojmë betejën, të cilën me 25 prill, Edi Rama, Rrajat Cyrbet, Ndraxhët, Doshët, Rakipët me shokë, menduan se e mbyllën.

Jo! Me 25 prill ata mbyllën vetëm një mundësi për ndryshimin që do të sillte vota plebishitare e shqiptarëve, të cilët duan një të ardhme më të mirë, por beteja do të vazhdojë. Shqiptarët do ta kenë një të ardhme më të mirë. Beteja jonë do të vazhdojë derisa kjo e ardhme më e mirë për shqiptarët, të bëhet realitet! Në çdo fushë, në çdo formë, në çdo mënyrë!

Ne jemi më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë! Ndërsa ju kapitenë të kësaj beteje, që përfaqësoni mijëra e mijëra të tjerë, që zgjuan shpresën, që shkundën nga plogështia një popull të tërë, mbajeni kokën lart siç e mbani sot, në çdo moment, deri në përfundimin me fitore të kësaj beteje!

Betejë që do ta bëjmë për të gjithë, për të rinjtë dhe për të rejat, për prindërit tanë, për gratë dhe për burrat e këtij vendi, për të moshuarit e këtij vendi, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi, deri në triumfin e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj!”, tha Basha përpara Durrsakëve./K.B/NOA.al