Transmetuar më 10-05-2021, 22:47

Mininstrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha këtë mbrëmje në emisionin “Opinion” se rastet e infektimeve nga Covid pas vaksinimit, në Shqipëri numërohen me gishtat e dorës.

“Nuk kemi patur raste të shumta, mund të ketë me gishtat e dorës, 5 ose më pak raste”, tha Manastirliu.

E pyetur nëse ka mënyrë të përzgjedhjes së vaksinës, ministrja tha se është bërë një shpërndarje kapilare.

“Nuk e kemi vendosur me përzgjedhje, ajo që është disponibël ajo do të përdoret”, u shpreh Manastirliu, ndërsa shpjegoi se ka një rekomandim të veçantë për disa problematika specike ku rekomandohet vaksina e Pfizer.

“Sipas udhëzimeve të ISHP janë disa kategori, kryesisht ata me leuçemi, dializë, të transplantuar apo me sëmundje të riaktivizuara si tumoret, të cilëve u është vendosur Pfizer. Jo për faktin se të tjerat nuk janë efektive, por sepse ka më shumë studime për këtë vaksinë”, u shpreh Manastirliu.

E pyetur lidhur me efektet anësore të AstraZeneca në Shqipëri, ajo u shpreh se nuk ka raste fatalitetesh të lidhura me këtë vaksinë.

“Asnjë rast që të ketë lidhje shkak-pasojë me vaksinën AstraZeneca”, deklaroi ministrja.