Transmetuar më 10-05-2021, 18:15

Partia Demokratike ka refuzuar të japë konsensusin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, si frut i ndonjë negociate në tryezë mes PS dhe PD.

Në një deklaratë për shtyp, PD e cilëson kryeministrin Edi Rama si autorin e masakrës elektorale dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve për ndryshim. Në reagimin e PD, thuhet se me qëllim që të largojë vëmendjen ai vazhdon gënjeshtrat, manipulimet dhe diversionet.

"Edi Rama është autori i masakrës elektorale dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve për ndryshim. Me qëllim që të largojë vëmendjen ai vazhdon gënjeshtrat, manipulimet dhe diversionet.

Vjedhja e zgjedhjeve nga Rama-Doshi-Rakipi e çuan vendin tonë drejt një masakre masive elektorale, ku viktimat janë qytetarët shqiptarë dhe e ardhmja e tyre. Detyra jonë ndaj shqiptarëve është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend.

Asnjë diversion nuk do të na ndalë në këtë betejë, duke filluar me shpalosjen e fakteve, provave dhe të dhënave që dëshmojnë pëmasën e plotë të masakrës zgjedhore nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi", – përfundon deklarata e PD.

Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë një takimi me deputetët e PS se me PD do të konsultohet për emrin e ri të Presidentit, pas shkarkim të presidenti Ilir Meta por theksoi se me LSI nuk do të ketë kurrë bashkëpunim.

Ndërkohë PD dhe LSI kanë një koalicion pas zgjedhor të lidhur para zgjedhjeve të 25 prillit, ku janë angazhuar për arritjen e disa objektivave.