Transmetuar më 10-05-2021, 08:50

Ditën e djeshme janë përcjellë për në banesën e fundit tre viktimat e familjes Haliti, të cilët humbën jetën në mënyrë tragjike pas konsumit të kërpudhave që kishin mbledhur në pyll, në Lalëz të Durrësit. Ky ishte njoftimi i autoriteteve për ngjarjen, por djali i çiftit, hodhi dyshime në lidhje me vdekjen e prindërve të tij dhe gjyshes.

Ai tha se bashkë me ta kishte ngordhur edhe qeni i tyre, por ai asnjëherë nuk konsumonte ushqimin që hante familja, duke përjashtuar kështu faktin që kafsha të ketë ngordhur nga ngrënia e kërpudhave helmuese.

“Ne e kemi pasur edhe një qen atje edhe qeni ka ngordhur, ai nuk e konsumon asnjëherë ushqimin që ne e hamë. Kjo shkon përtej dyshimit, sepse qeni nuk konsumon kërpudha. Babi ka dalë shpesh për të na mbledhur kërpudha, nuk është se nuk i ka njohur kërpudhat”, u shpreh ai.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili shprehet se shteti shqiptar e ka për obligim të dalë sa më parë me rezultatin përfundimtar të hetimit për zbardhjen e të vërtetës.

Reagimi i plotë:

Gjilani, Kosova e Shqipëria u tronditën nga tragjedia që ndodhi në Durrës, përkatësisht në Gjirin e Lalëzit, ku tre bashkëqytetarët tanë, Elfete, Afrim e Ferdinaze Haliti, ndërruan jetë papritur. Sot ia dhamë lamtumirën e fundit në Gjilan dhe na mbeti peng e vërteta e shuarjes së tyre.

Shteti shqiptar e ka për obligim që sa më parë të dal me rezultatin përfundimtar të hetimit për zbardhjen e të vërtetës. Për shpirtrat e Elfetes, Afrimit e Ferdinazes, për familjen Haliti, për Gjilanin, për Kosovën, për Shqipërinë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Haliti për këtë humbje të madhe. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!

Po ashtu djali i viktimës më tej akuzoi mjekët për neglizhencë të dhënies së shërbimit mjekësor.

“Neglizhenca e mos trajtimit të duhur në spitalin e Manzës, tre pacientë të shkojnë me të njëjtat simptoma e të kthehesh në shtëpi me hapa, nuk është normale, pa analiza, pa kurrfarë përkushtimi të lirosh pacientin në atë gjendje nuk është normale. Kanë marrë vetëm një infuzin dhe i kanë liruar në shtëpi, gjendjen e kanë pasur të rëndë”, tha djali i viktimës. /S.H /NOA.al