Dhjetëra të lënduar nga përleshjet në Jerusalem
Transmetuar më 09-05-2021, 17:27

Dhjetëra palestinezë janë lënduar në përleshjet ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë në qytetin e Izraelit. Përleshjet, që janë më të këqijat në vitet e fundit, kanë nxitur shqetësim botëror, se ato mund të përshkallëzohen edhe më tej.

Tensionet janë rritur për shkak të xhamisë Al-Aqsa – që është vendi i tretë i shenjtë në fenë islame – dhe për dëbimin potencial të palestinezëve nga shtëpitë dhe tokat e tyre, ku janë planifikuar që të ndërtohen vendbanime hebreje.

Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha më 9 maj se rreth 100 palestinezë janë lënduar gjatë përleshjeve që ndodhën gjatë natës dhe shumica prej tyre kanë pësuar lëndime nga plumbat e gomës dhe granatat tymuese që kanë hedhur forcat e sigurisë. Policia izraelite tha se 17 oficerë po ashtu janë lënduar.

Më 9 maj, Papa Françesku bëri thirrje për dhënien fund të dhunës në Jerusalem, teksa shumë shtete arabe lanë dënuar veprimet e forcave të Izraelit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha më 9 maj se Izraeli “nuk do të lejojë asnjë ekstremistë që ta destabilizojë qetësinë në Jerusalem”. Përleshjet në Jerusalem vijnë kur më 9 maj, hebrenjtë nisin shënimin e Ditës së Jerusalemit, ditë kjo kur festohet aneksimi i Jerusalemit Lindor dhe shumë nacionalistë fetarë mbajnë parada dhe ngjarje të tjera.

Përleshjet nisën mbrëmjen e 7 majit. Mbi 220 persona, shumica palestinezë, u lënduan, pasi policia izraelite hyri në xhaminë Al-Aqsa pasi thanë se palestinezët kishin hedhur në drejtim të tyre gurë dhe fishekzjarrë. Vlerësohet se rreth 90 mijë palestinezë, në Natën e Kadrit, më 8 maj, morën pjesë në lutjet në xhaminë Al-Aqsa./K.B/NOA.al