Transmetuar më 08-05-2021, 15:45

PSG ka konfirmuar se Neymar ka vazhduar kontratën e tij me klubin deri në vitin 2025.

Gjatë ditës ishte folur shumë se klubi dhe braziliani sot do ta bëjnë zyrtare vazhdimin e marrëveshjes dhe ashtu doli.

Pasi zgjati kontratën e tij me Paris Saint-Germain, braziliani foli për PSGTV, në lidhje me ambiciet dhe kënaqësinë e tij që ka vazhduar aventurën e tij në kryeqytetin francez.

“Jam shumë i lumtur, shumë i lumtur që po zgjas kontratën time me Parisin deri në vitin 2025”.

“Është një kënaqësi e madhe të zgjas përvojën time te Paris Saint-Germain. Jam shumë i lumtur në Paris. Është krenari të jesh pjesë e këtij grupi, të punosh me këta lojtarë, këtë trajner të shkëlqyeshëm dhe të jesh pjesë e historisë së këtij klubi. Këto janë gjërat që më bëjnë të besoj në këtë projekt të madh”.

“Këtu unë jam rritur si person, qenie njerëzore dhe si lojtar, gjithashtu. Shpresoj të fitoj shumë më shumë trofe këtu”, ka thënë Neymar.

Në anën tjetër edhe presidenti i klubit, Nasser Al-Khelaifi, është ndarë i kënaqur që njëri nga yjet kryesore ka vazhduar me klubin.

“Jam krenar që shoh Neymar Jr të riafirmojë angazhimin e tij afatgjatë, deri në vitin 2025, në familjen e Paris Saint-Germain”.

“Ne jemi shumë të lumtur që e kemi pjesë të projektit tonë dhe që do të jetë pranë nesh për shumë vite”, ka thënë presidenti i klubit.

Neymar ishte bashkuar me PSG-në në vitin 2017. /S.H /NOA.al