Përpilohet dosja/ PD kërkon përsëritjen e zgjedhjeve, përjashtim bëjnë vetëm tre qarqe
Transmetuar më 07-05-2021, 20:37

Lidhur me parregullsitë e shumta që ka pretenduar, pas zgjedhjeve të 25 Prillit, mësohet se Partia Demokratike do të kërkojë zyrtarisht përsëritjen e tyre në shumicën dërrmuese të qarqeve.

Pasi të ketë përpiluar dosjen me të gjitha parregullsitë, që sipas PD-së kanë cenuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 25 prillit, në ditët në vijim kjo forcë politike do të dorëzojë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, në KQZ, kërkesën për shpalljen e pavlefshme të tyre.

Qarqet, që sipas PD-së, nuk kanë pasur parregullsi janë tre nga katër që ajo fitoi në rang kombëtar: Shkodra, Lezha dhe Dibra.

Mes qarqeve që kërkohet rivotimi janë: Durrësi, Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Gjirokastra, Korça, Vlora dhe Kukësi.

Me provat që disponon, PD pretendon se në 9 këto qarqe procesi zgjedhor ka deformuar vullnetin e  qytetarëve.

KAS, dhe Kolegji Zgjedhor janë të detyruara ligjërisht të marrin në shqyrtim kërkesën e PD-së dhe të vlerësojnë pretendimet e partisë më të madhe opozitare në vend. Dhe nëse do të ketë pakënaqësi mbi vendimin, ndoshta do të jetë Gjykata Kushtetuese, ose një komision ndërkombëtar, që do të japë verdiktin përfundimtar./a.m/NOA.al