Transmetuar më 07-05-2021, 12:18

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar hetimin e SPAK për tenderat e ushqimeve në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas GJKKO, nuk ka shkelje të barazisë në tendera.

SPAK mori në hetim të pandehur katër zyrtarë, mes tyre edhe sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së Mbrojtjes. Sipas GJKKO, duhet verifikuar vetëm shpërdorimi i detyrës që është kompetencë e Prokurorisë dhe Gjykatës Tiranë.

Kujtojmë se SPAK mbylli hetimet dërgoi në gjyq tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Ylli Imerin, Dafina Keçën dhe Andrea Dapajn për shkelje të barazisë në tendera dhe drejtorin e rezervave të shtetit Sokol Zaimi për shpërdorim detyre.

Pas regjistrimit të kallëzimit nga PD në datë 10 prill të vitit të kaluar SPAK nisi hetimet për tenderin e ushqimeve dhe atë të blerjes së materialeve mbrojtëse për personelin e Forcave të Armatosura.

Për tenderin e ushqimeve SPAK thotë se nga hetimet ka rezultuar se “Ministria e Mbrojtjes në 25 mars të vitit 2020 bëri shpalljen e procedurës me negociom pa shpallje paraprake për blerjen e ushqimeve për familjet në nevojë si rezultat i situatës së krijuar nga pandemia. Kompania fituese ishte Eurovia”.

Loti i dytë lidhet me materialet mbrojtëse për personelin e FA-së, që po sipas SPAK “u bë me negocim pa shpallje me fitues XPERT SYSTEMS”.

Në përfundim të hetimeve, sipas SPAK rezulton se “Ylli Imeri, Dafina Keça dhe Andrea Dapaj kanë krijuar favorizim apo përcaktim për fituesit”.

Ndërkohë që drejtori i komanduar i Rezervave të Shtetit ka shpërdoruar detyrën duke mos vepruar dhe për këtë shkak fondi limit për lotin e parë është përllogaritur në një vlerë më të madhe.

Për tenderin u mor në pyetje edhe Olta Xhaçka, asokohe ministre e Mbrojtjes. PD akuzoi kryeministrin dhe ministren e Mbrojtjes se dhanë një tender 1,5 milion euro për furnizimin me ushqime të Rezervave të Shtetit pa garë. /K.B/NOA.al