Transmetuar më 06-05-2021, 19:25

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën Vjetore “State of the Union” organizuar nga Instituti i Universitetit Europian, të zhvilluar në Firence, Itali, me temë “Europa në një botë që po ndryshon". Rama ishte i ftuar në panel “Mbi fuqinë e butë të Bashkimit Europian”, të moderuar nga Këshilltarja e lartë për Çështjet Europiane në institutin e ASPEN dhe ish ministre e Jashtme e Italisë, Marta Dassu.

Rama tha se në Shqipëri, pak rëndësi ka kush humb dhe kush fiton në zgjedhjet e saj kur bëhet fjalë për BE-në, sepse sipas tij, opinioni publik shqiptar është shumë pro BE-së dhe shumë pro perëndimor.

"Nuk ka asnjë dyshim që shtegu europian nuk është një nga zgjedhjet për ne, është zgjedhja e vetme dhe fundore për ne. Është e vërtetë për disa vende të tjera në rajon që ka edhe aktorë të tjerë me një ndikim mjaft të rëndësishëm, por nuk mendoj që kjo është e vërtetë për Shqipërinë, pasi me të gjithë të tjerët, ne kemi marrëdhënie të llojeve të ndryshme, por asnjë prej tyre nuk është zëvendësuese e mundshme e BE-së si objektivi, si destinacioni ynë, si partneri ynë. Kështu që po, unë mendoj që se ka shumë çështje me të cilat duhet të merremi gjatë kësaj kohe", u shpreh z.Rama.

Në këtë forum, Ramës iu evidentua fakti që ka blerë shumë vaksina kineze që në BE po shihet si vlerë e shtuar për raportet me Kinën.

Rama tha se u detyrua të kërkojë opsione të tjera pasi BE braktisi Ballkanin. "Ne u lamë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave në fillim dhe kur them ne, jo vetëm Shqipëria, por të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu që kjo fqinjësi, kjo lagje në mes të Europës, e rrethuar nga kufij të BE-së ishte e izoluar nga pjesa tjetër sa u takon kapaciteteve për të luftuar pandeminë. Kësisoj, na u desh të vepronim vetë, të bënim përpjekjet tona individualisht, të gjitha vendet. Për ne shkoi mirë. Arritëm të kishim kontratë me Pfizer-in, më pas të njëjtën gjë bëmë edhe me AstraZenecan dhe për të qenë të saktë, ne nuk e morëm Sinovac-un nga Kina. Ne e morëm nga distributori në Turqi. Do të thoja që marrëdhëniet tona me Kinën janë absolutisht normale dhe normalja në këtë marrëdhënie nënkupton se nuk ka asgjë speciale".

Në debat, u fol më tej për reformat. Kur mendohet lidhur me bërjen e një anëtari të ri në BE, ne e lidhim këtë gjithmonë me reforma të rëndësishme të brendshme dhe më duhet t’u them që vendi juaj ka shënuar mjaft përparim dhe BE-ja e ka pranuar tashmë këtë. A mendoni se ju duhet diçka më tepër, sidomos sa i takon reformës së gjyqësorit dhe luftës kundër krimit të organizuar?

Kësaj pyetjeje, z.Rama i dha këtë përgjigje: "Mendoj se pikë së pari na duhet të vlerësojmë se kush është burimi më i kualifikuar për të folur objektivisht për reformat, rezultatet tona. Ndaj mendoj që askush, askund në Europë nuk është më i mirë se Komisioni Europian për të thënë objektivisht, mbështetur në fakte dhe mbështetur në një monitorim mjaft rigoroz dhe sistematik të të gjithë procesit se ku jemi.

Kemi mësuar në mënyrën më të vështirë se pavarësisht gjithçkaje, ka dy nivele vlerësimi. Njëri është një nivel më teknik, pra, Komisioni që ka një Delegacion të tërë me staf në Shqipëri, që ndjek 24 orë të ditës në 7 ditë të javës, të gjitha evenimentet, të gjithë ecurinë dhe pastaj vijojnë tek një nivel tjetër që është më politik, që është më subjektiv. Aty ngecemi. Në rregull, e kuptojmë. E rëndësishme për ne është që të vazhdojmë të bëjmë atë çka po bëjmë sepse nuk  është se na duhet ta bëjmë këtë bazuar në atë çka njerëzit në Bruksel, në Berlin, në Paris a kudo gjetkë na kërkojnë, por na duhet ta bëjmë për fëmijët, për të  ardhmen e vendit tonë. Ndaj, këto reforma janë në të mirë të vendit, janë  reformat që kemi nevojë të zhvillojmë për brezin e ardhshëm dhe po i bëjmë. Na duhet të kemi durim dhe e kemi mësuar tashmë këtë. Kështu që jemi mjaft të duruar, derisa vlerësimi të bëhet edhe në nivelin vendimmarrës të Këshillit, pasi ne e dimë mjaft mirë që dinamika të ndryshme në vende të ndryshme janë gjithmonë e më tepër influencuese për këtë vendim. Ndaj nuk është domosdoshmërisht diçka që lidhet me atë çka ti bën. Natyrisht, ajo që ti bën është e rëndësishme, por është shumë e rëndësishme dhe ajo për të cilën ata kanë nevojë në atë moment. Kështu që na është dashur të përballemi disa herë dhe tashmë asgjë nuk më habit.

Ne mund të bëjmë gjithçka është e nevojshme dhe ende të mbetemi pezull. Në rregull, s’ka problem. E dimë se çka është  rëndësishme, është të bëjmë punën tonë dhe e dimë se përtej kësaj nuk kemi fuqi për të ndryshuar gjëra. Në qoftë se një vend ka zgjedhje 6 mujorin tjetër, një vend tjetër ka një problem me një debat politik me emigrantët, apo një vend tjetër do të bëjë një deklaratë për zgjerimin, kështu që t’i bësh të gjithë bashkë të jenë njëzëri  për hapin tjetër për ne apo për të tjerët, është gjithmonë e më tepër e vështirë".

Por, çfarë do të mundet Shqipëria t’i ofrojë BE-së sa i takon sigurisë e gjeopolitikës, duke shtuar edhe dy elementë; në raport në marrëdhënien me Turqinë, që po bëhet një aktor mjaft i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe tjetra sa i takon bashkëpunimit rajonal.

Rama, tha: "Nga njëra anë, për ne dhe ndonjëherë është e mundimshme që ta bësh të qartë sepse ka opinione të ndryshme që vijnë nga jashtë lidhur me mënyrën si t’i qasemi Europës. Është shumë e qartë për ne që Europa nuk është alternativë ndaj asgjëje, Europa për ne është vendi që ka të njëjtën vlerë sot, që ka pasur kur etërit themelues e parafytyruan. Ndoshta jemi naivë, ndoshta jemi si të gjithë ata që përpara se të martohen janë entuziastë për këtë e që nuk duan të dëgjojnë përvojat alternative të martesës. Por kjo është gjëja, kështu është. Ne nuk shohim asnjë faktor e aktor si një alternativë kundrejt Europës. Për ne, procesi i integrimit është një instrument fantastik për të modernizuar vendin tonë dhe për ta bërë Shqipërinë, një vend të mirëfilltë europian, i gatshëm për t’u bërë anëtare i BE-së, por, pavarësisht nëse është anëtar apo jo, të jetë një vend europian.

Nga ana tjetër besoj fort dhe kjo është pikëpamja e përulur e kryeministrit të Shqipërisë së vogël, por kam një mendim të fortë se BE-ja ka nevojë jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në dhe saktësisht, për të njëjtat qëllime që disa lojtarë apo aktorë bëjnë avokatin e së kundërtës, pra, për qëllimin e një Unioni më integral, më të sigurt dhe të siguruar. Nuk është e qartë për mua sesi mund të vihet në diskutim kjo gjë. Të kesh këtë hapësirë fqinjësie që rrethohet nga BE-ja, ne rrethohemi nga kufijtë europiane, jemi brenda Europës, ta kesh këtë hapësirë fqinjësie të paintegruar, por ta lësh si një zonë të mundshme gri ku të tjera interesa, të tjerë aktorë mund të ndërhyjnë, është sipas meje shumë e qartë, që alternativa e integrimit të plotë është shumë më e realizueshme dhe shumë më e sigurt se çfarëdolloj alternative bashkëpunimi, duke lënë hapësirë për të tjerë.

Sa i takon Turqisë, kam opinionin tim të fortë që Turqia është themelore për sigurinë dhe sigurimin e Bashkimit Europian dhe për këtë nuk ka aspak dyshim. Historia e marrëdhënieve është tejet e gjatë dhe e ndërlikuar, por, nga ana tjetër, nuk ka dyshim që Turqia është kyçe në sigurinë dhe sigurimin e BE-së dhe BE-ja është kyç për një Turqi më të fortë.

Kur vjen fjala për rajonin e për Shqipërinë më duhet ta bëj shumë të qartë që kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Turqinë, marrëdhënie tradicionale. Për ne, Turqia është partner strategjik. Marrëdhënia jonë me Presidentin Erdogan është  e shkëlqyer, por dua ta bëj shumë të qartë; nuk ka asnjë shenjë, jo më fakt, por asnjë shenjë të asaj të asaj çfarë kanë pretenduar dhe duan të pretendojnë disa burime se Presidenti Erdogan dhe Turqia po ushtrojnë në Shqipëri apo në rajon, nuk e di, ndoshta disa gjëra mund të diskutohen kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën, por jo tani, më parë, pra, kur bëhet fjalë për të ashtuquajturin neo-otomanizimin e rajonit të Ballkanit. Ndonjëherë zemërohem kur shoh e kur lexoj lajme të rreme për xhami që ndërtohen në Shqipëri për të ushtruar këtë lloj ndikimi apo çfarëdo gjëje tjetër. Nuk është e vërtetë.

Kur bëhet fjala për xhamitë, jemi shumë mirënjohës për të gjithë projektin e restaurimeve të zonave të trashëgimisë historike që kemi, qofshin këto xhami, kisha apo vende të tjera të shenjta, ku mes të tjerëve, Bashkimit Europian, donatorëve të ndryshëm, kemi patur edhe kontributin e palës turke. Kjo është e gjitha. Gjëja tjetër është xhamia e Tiranës, ku kanë kontribuar për komunitetin mysliman. Pasi kishim një katedrale të madhe ortodokse, një katedrale të madhe katolike dhe mungonte xhamia e madhe dhe Komuniteti Mysliman Turk kontribuoi për këtë. Kështu që nuk shoh në asnjë lloj mënyre diçka të tillë. Kemi përshembull, çështjen e demarkimit detar me Greqinë, një çështje që hyn në kategorinë e problemeve që lidhen me Turqinë e Greqinë, por në asnjë moment, asnjëherë nuk kemi pasur asnjë shtysë e asnjë ndikim nga pala turke për të bërë diçka në këtë drejtim. Ne jemi krejt të pavarur, të lirë e nuk kemi aspak të bëjmë me këtë".

Në fund Rama kishte dhe disa kritika për BE: "Politika ka shumë të bëjë me semantikën. Nuk tingëllon mirë kur disa vende anëtare të Bashkimit Europian diskutojnë të ardhmen e Europës, jo të Bashkimit Europian, por të Europës dhe nuk marrin parasysh tërësisht një pjesë të Europës që është Ballkani Perëndimor. E më duhet të them që diskutimet produktive për të ardhmen e Europës, edhe njëherë të Europës, jo të Bashkimit Europian, se nëse diskutohet e ardhmja e Bashkimit Europian u takon atyre që të hapën apo jo ndaj të tjerëve, por përsa i përket Europës, diskutimet produktive do të nënkuptonin absolutisht përfshirjen jo vetëm të Ballkanit Perëndimor, por edhe përfshirjen e Turqisë, për të zhvilluar një diskutim të hapur, i cili do të çojë në përfundime që më pas, Bashkimi Europian do t’i marrë parasysh, të tjerë do t’i marrin parasysh dhe do t’i çojnë gjërat në një nivel tjetër. Mendoj që ka shumë nevojë për dialog të hapur, për debat të hapur e përfshirës edhe kur bëhet fjalë për konfliktet në Ballkanin Perëndimor, sepse pa hapur debate mirëfilli e pa përfshirë në mënyrë të hapur, të drejtpërdrejtë, shqeto, të gjithë aktorët, atëherë rreziku është që të gjithë do të hasin pengesa dhe do të preferojmë gjithnjë e më tepër status quo dhe jo të bëjmë ndryshime. Pra, është absolutisht e nevojshme që të ketë përfshirje qysh në fillesë, të gjithë duhet të jenë pjesë, pavarësisht se janë apo jo tërësisht dakord me hipotezat përfundimtare".