Transmetuar më 06-05-2021, 18:01

Avokatja e njohur shqiptare, dhe ekspertja e pavarur pranë OKB-së, Klentiana Mahmutaj, ka udhëhequr ekipin e ekspertëve në fushatën për të hequr pronësinë intelektuale, që e mbajnë aktualisht vendet e pasura, për procesin e vaksinimit global, me qëllim që të përfitojnë në mënyrë sa më të barabartë të gjitha vendet e botës.

Klentiana Mahmutaj e ka udhëhequr këtë lëvizje me mjaft sukses tek Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara.

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kërkojnë bashkëpunimin e OBT-së për shpërndarjen sa më të drejtë të vaksinave, me qëllim për të mbrojtur shëndetin publik në rang global.

Në krye të ekipit të ekspertëve të Kombeve të Bashkuara është avokatja e njohur shqiptare, Klentiana Mahmutaj, e cila ashtu si edhe ekipi që ajo kryeson, ka ngritur zërin kundër 10 vendeve të pasura, të cilat zotërojnë aktualisht 95 për qind të vaksinave.

Ekspertët e OKB-se thanë sot se miliarda njerëz, veçanërisht vendet në Jug të Globit, rrezikojnë të përjashtohen nga përfitimet e imunizimit COVID-19 deri në vitin 2024.

Ata i kërkuan shteteve të pasura t’i japin fund nacionalizmit të vaksinimit.

“Shërimi nga pandemia është i pamundur nëse nuk përfundon procesi për të gjithë njerëzit. Format e reja mutuese të virusit që mund të shfaqen në popullata kryesisht të pavaksinuara mund të përbëjnë një kërcënim për të gjithë, duke përfshirë edhe ata që janë vaksinuar më parë,” thanë ekspertët e pavarur, të emëruar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

“Kjo kërkon që të gjitha Shtetet të kuptojnë detyrën e tyre për të bashkëpunuar, përmes një solidariteti global, me qëllim për të siguruar qasje të barabartë të vaksinave në të gjithë botën, pa asnjë diskriminim,” – thanë ekspertët.

Ata thanë se sfidat e adresimit të pandemisë fillimisht i afruan njerëzit dhe kombet së bashku, në përballjen e sëmundjes  së panjohur.

“Përpjekjet kolektive globale të shkencëtarëve, shteteve dhe organizatave të shoqërisë civile për të gjetur një vaksinë dhanë shenja premtuese të një epoke të re të bashkëpunimit dhe barazisë, ku askush nuk do të lihej pas”.

Sidoqoftë, ekspertët vlerësuan se vendet e pasura, kryesisht ato që prodhuan vaksinat, falë arritjeve të tyre shkencore, po mendojnë aktualisht kryesisht për vendet e tyre apo edhe për të përfituar ndoshta nga procesi i vaksinimit, në kurriz të pjesës tjetër të globit.

Ndarja, pabarazia, vetë-interesi kombëtar dhe rajonal aktualisht diktojnë qasje në vaksinat COVID-19, thanë ata. Sipas OBSH, rreth 95 përqind e vaksinave të prodhuara deri më tani kanë shkuar për 10 vendet e pasura.

“Ky është një dështim i madh,  për të bashkëpunuar në të drejtën për zhvillim, të cilën e gëzojnë të gjithë njerëzit dhe popujt”.

Ndërsa (COVAX) e udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon të hidhen hapa të  rëndësishëm drejt shpërndarjes së vaksinave të koordinuar globalisht, vëren se shtetet nuk po përfshihen sa duhet që të kenë të njëjtin akses.

Ekspertët nxisin me forcë anëtarët e OBT-së të marrin në konsideratë heqjen dorë nga Marrëveshja për atë që quhet “Tregtia e të Drejtave të Pronës Intelektuale” (TRIPS) gjatë takimeve të Këshillit TRIPS, Mars 2021, që të favorizohet e drejta e zhvillimit, për të gjithë.

Objektivi i zhvillimit të qëndrueshëm i OBT-së nuk mund të realizohet duke minuar aftësinë e vendeve për të interpretuar Marrëveshjen TRIPS, si një mënyrë mbështetëse, për t’u marrë me krizën e shëndetit publik, thanë ekspertët.

“Marrëveshja TRIPS mund dhe duhet të lehtësojë mbrojtjen e shëndetit publik në një shkallë globale, të promovojë vetë-mjaftueshmërinë e të gjithë anëtarëve dhe të mos jetë pengesë për aksesin e ilaçeve dhe vaksinave të lidhura me COVID-19”.

“Pandemia COVID-19 është një sfidë globale e cila mund të adresohet në mënyrë efektive vetëm përmes veprimit të përbashkët global. Jetët e njerëzve nuk mund të shpëtohen dhe të prekurit nuk mund të mbrohen nga retorika e thjeshtë, pa angazhim konkret, për akses universal dhe të barabartë të vaksinave,” thanë ekspertët.

"Ne i nxisim Shtetet të angazhohen në një bashkëpunim të kuptueshëm ndërkombëtar, si një detyrim dhe jo një opsion, në mënyrë që të shmangin shtyrjen e shpërndarjeve e vaksinave në  popullatën e prekshme në të gjithë botën, dhe t’i mos i lëmë ata më pas".

Ekipi i Ekspertëve për të Drejtën e Zhvillimit (Znj. Klentiana Mahmutaj (Kryetare), Z. Koen de Feyter (Zëvendëskryetar), Z. Bonny Ibhawoh, Z. Armando Antonio de Negri Filho, Z. Mihir Kanade;

Ekspertë të Procedurave Speciale: Z. Saad Alfarargi, Raportues Special për të drejtën e zhvillimit; Z. Obiora Okafor, Eksperte e Pavarur për të drejtat e njeriut dhe solidaritetin ndërkombëtar; Z. Livingstone Sewanyana, Ekspert i Pavarur për promovimin e rendit demokratik dhe të drejtës ndërkombëtare, dhe Znj. Tlaleng Mofokeng, Raportuese Speciale për të drejtën e secilit për gëzimin e standardit më të lartë të arritshëm të shëndetit fizik dhe mendor.

(Foto: Nga spitalet, sesi përjetohet Covid në Brazil)

/a.m/NOA.al