Rrethet me imunizim më të lartë nga vaksinat, në vendin tonë
Transmetuar më 06-05-2021, 17:21

Rrethi me mbulesën më të lartë të vaksinimit në vend është Gjirokastra.

Përgjegjësja e Programit Kombëtar të Vaksinimit Erida Nelaj thotë se pas Gjirokastrës në vend të dytë renditet Vlora.

“Sasitë e vaksinave shpërndahen për çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor në varësi të popullatës që ata mbulojnë dhe fashës moshore dhe ne kemi ecur shpejt për sa i përket fashës 60 plus. Ka njësi vendore të kujdesit shëndetësor që kane ecur mirë si Gjirokastra, Fieri, Vlora, Mirdita që kanë arritur të konsumojnë shumë shpejt sasinë e vaksinës së marrë”, – tha Nelaj.

Sipas specialistëve, këto rrethe kanë krijuar imunizim më të shpejtë, për shkak edhe numri të lartë të moshuarve.

Edhe Tirana  ka një mbulesë të lartë vaksinimi, por përqindja e vaksinimit është më e ulët për shkak të moshës më të re.

“Pjesa e jugut ka popullatë të moshuar dhe automatikisht ka krijuar mbrojtje më të shpejtë të popullatës se atë kontigjient popullate ka Tirana është njësia vendore të kujdesit shëndetësor me vaksinimet më të larta, por duket ende larg të zbresë fasha moshore pasi popullsia është shumë e madhe dhe shumë e përhapur”.

E pyetur në lidhje me procesin e vaksinimit dhe efektet anësore në dozën e dytë, Nelaj thotë se janë shfaqur më shume efekte se doza e parë.

“Me dozën e dytë personat duhet të presin më shumë efekte anësore, si lodhje trupore dhe temperaturë të lehtë”.

Specialistët thonë se me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave do të ulet fasha moshore për vaksinimin e mëtejshëm të popullsisë.

Shqipëria ka siguruar deri tani mbi 730 mijë doza vaksine.

Prej Janarit në vend janë kryer mbi 530 mijë vaksinime.

/a.m/NOA.al