Transmetuar më 05-05-2021, 18:41

Këtë verë qytetarët mund të lëvizin pa mbajtur maskë, thotë kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj.

Sipas tij, heqja e detyrimit për maskën në çdo mjedis jashtë shtëpisë, pritet të shpallet pasi ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës epidemiologjike në vend. Sipas tij, heqja e maskës së detyrueshme do të bëhet të paktën për mjediset e jashtme.

Brataj, në një intervistë televizive tha po ashtu sot se ai dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve janë optimistë se situata do të jetë akoma edhe më pozitive pasi po kryhet vaksinimi në masë i popullsisë.

“Predispozicioni është i mirë dhe do të shkojmë drejt lirimit të masave, vera na ndihmon. Jemi drejt vlerësimit të lirimit të masave për një sezon turistik sa më të mirë. Nuk më shqetëson vera, sepse situata do të jetë më e lehtë", tha Brataj duke iu referuar dhe verës së parë pandemike kur situata ishte e kontrollueshme.

Brataj tha se masat duhet të lirohen në mënyrë graduale që të mos ketë kthim mbrapa.

"Vetëm me indikatorët do të vlerësohet situata me pandeminë në Shqipëri", tha ai duke mos qartësuar se kur do ti jepet fund kufizimeve.

Duke folur për vaksinat, Brataj tha se janë kontraktuar 2.6 milionë doza të katër kompanive, ndërsa vetëm një e treta kanë mbërritur. Ai nuk dha afate për mbërritjen e pjesës tjetër.

Megjithatë, Brataj siguroi se vaksinimi masiv do të vijojë dhe në verë, duke shtuar se "sezoni turistik do të jetë i qetë", pasi "do të organizohemi me shtim të qendrave shëndetësore verore". /k.k/noa.al/