Transmetuar më 05-05-2021, 16:35

Komisioni Evropian u ka paraqitur një propozim Shteteve Anëtare që gradualisht të fillojnë rihapjen e kufijve për udhëtarët nga vendet e treta që vaksinohen, të cilët dëshirojnë të hyjnë në vendet e BE-së, apo edhe vendet e zonës Shengen për qëllime jo thelbësore.

Nga ky vendim, nga vendet e tjera pritet të përfitojë Shqipëria, që në fund të muajit maj ka llogaritur të shkojë në 1 milion të vaksinuar,  dhe në raport me popullsinë, ka një shifër gati të përafërt me vendet e BE-së.

"Komisioni propozon të lejojë hyrjen në BE për arsye jo thelbësore jo vetëm për të gjithë personat që vijnë nga vendet me një situatë të mirë epidemiologjike, por edhe për të gjithë njerëzit që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të një vaksine të autorizuar nga BE," tha Komisioni, në një njoftim për shtyp që shpalos propozimet e saj.

Ajo që penalizon vendin tonë është vaksinimi me vaksinat kineze dhe ruse, vaksina që ende nuk janë miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave.

Megjithatë, duket se do të përfitojnë të vaksinuarit me vaksina Astrazenca dhe Pfizer.

Propozimi u është dërguar Shteteve Anëtare të hënën, më 3 maj, gati një muaj përpara fillimit të planifikuar të Certifikatave të Udhëtimit COVID-19, përmes të cilave organet e BE synojnë të rivendosin udhëtimet brenda bllokut sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas njoftimit për shtyp të organit ekzekutiv të BE-së, të njëjtat certifikata do t’u lëshohen udhëtarëve nga vendet e treta, të cilët duhet të provojnë se janë vaksinuar plotësisht nga vaksina që janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Certifikatat e tjera mund të përdoren gjithashtu për të hyrë në BE, duke qenë se ato njihen si ekuivalente nga Komisioni.

Propozimi gjithashtu udhëzon Shtetet Anëtare të heqin kërkesat për testimin e COVID-19 dhe karantinën për qytetarët e vendeve të treta, nëse detyrime të tilla janë hequr për qytetarët dhe rezidentët e vaksinuar të BE-së.

Në të njëjtën kohë, Komisioni i BE u sugjeron gjithashtu Shteteve Anëtare që të rrisin pragun në lidhje me numrin e rasteve të reja COVID-19 të përdorura deri tani, për të përcaktuar qytetarët e të cilave vendet e treta duhet të lejohen të udhëtojnë në bllok.

Sipas kësaj pike të propozimit, ndërsa udhëtimet jo-thelbësore aktualisht lejohen nga shtatë vende të treta të renditura si të sigurta epidemiologjikisht, pragu i shkallës së njoftimit kumulativ COVID-19 për dy javë duhet të rritet nga 25 në 100.

Më tej, Komisioni vëren se udhëtimi për qëllime thelbësore duhet të mbetet i lejuar, pavarësisht nga vendi i origjinës së udhëtarëve ose statusi i tyre i vaksinimit.

Komisioni gjithashtu vëren se duke pasur parasysh që situata epidemiologjike e një vendi jashtë BE-së përkeqësohet shpejt dhe në veçanti, nëse zbulohet një variant i ri i virusit, një Shteti Anëtar lejohet të ndërpresë urgjentisht dhe përkohësisht të gjitha udhëtimet për udhëtarët jashtë BE-së .

Të përjashtuar nga rregullat e reja edhe në raste të tilla duhet të mbeten profesionistët e kujdesit shëndetësor, personeli i transportit, diplomatët, udhëtarët tranzit, ata që udhëtojnë për arsye urgjente familjare, detarët dhe ata që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare ose për arsye të tjera humanitare. Megjithatë, edhe këta udhëtarë duhet t’i nënshtrohen testimit të rreptë dhe rregullimeve të karantinës, edhe nëse janë vaksinuar.

Në një takim më 5 maj, ambasadorët e BE do të diskutojnë propozimet e fundit.

Pasi propozimi të miratohet nga Këshilli, u mbetet Shteteve Anëtare të zbatojnë masat e përcaktuara sipas rekomandimeve përkatëse./a.m/NOA.al