Transmetuar më 05-05-2021, 14:09

Hiqet karantina me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministrja Ogerta Manastirliu në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve njoftoi edhe për hapjen e auditoreve të universiteteve për konsultime dhe sezonin e provimeve.

Silva Bino u shpreh se vaksinimi ka patur impakt në uljen e fataliteteve. Strategji e suksesshme kryerja masive e dozës së parë për popullatën.

Komiteti Teknik i Ekspertëve i mbledhur mesditën e sotme ka vendosur hapjen e pjesshme të auditoreve të universiteteve dhe heqjen e karantinës dy javore për qytetarët që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në konferencën për media.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur heqjen e masës së karantinës 14 ditore me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në vijim të vlerësimit të situatës epidemiologjike, me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve do të lejohet hapja e auditoreve të universiteteteve vetëm për procesin e konsultimeve dhe sezonin e provimeve, duke siguruar zbatimin rigoroz të protokolleve shëndetësore”, bëri me dije Manastirliu.

Gjatë takimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Manastirliu ka bërë me dije se masat e tjera do të mbeten të pandryshueshme dhe se situata do të vlerësohet në dinamikë.

Duke folur për proçesin e vaksinimit, Manastirliu tha: “Kanë mbërritur në vend prej fillimit të kësaj situate më shumë së 748,400 doza vaksine. Aktualisht jemi në shifrat e 537 mijë vaksinimeve, ku rreth 100 mijë qytetarë kanë marrë dhe dozën e dytë të vaksinës. Ritmi i vaksinimit mbetet i lartë për dozat e administruara në 7 ditët e fundit për 100 persona, krahasuar edhe më vendet e ndryshme europiane”.

Dr. Silva Bino në prezantimin e saj tha se vaksinimi ka ndikuar në përmirësimin e situatës epidemiologjike, duke e lidhur dhe me uljen e numrit të fataliteteve.

“Ne jemi duke matur me saktësi se çfarë impakti ka vaksinimi në të gjitha grupmoshat dhe në vdekshmërinë dhe në shtrimet në spitale. Si rezultat i këtyre vaksinimeve besoj dhe duket qartë që ka një impakt të vaksinimit në numrin e vdekjeve. Ky është një lajm tepër i mirë në këtë moment. Për të parë më tej impaktin që vaksinimi do të ketë në përgjithësi në popullatë kjo do të tregohet në javët në vazhdim”, tha Bino.

Bino tha se përqindja e mbulesës vaksinale është matur duke bërë me dije dhe qarqet ku kjo mbulesë është më e lartë.

“Gjirokastra është rrethi i cili ka mbulesën më të lartë vaksinale. Qarqet të cilat kanë një përqindje të lartë të programit të vaksnimit janë ato të Vlorës, Fierit, por mbrapa nuk mbetet as Tirana, e cila ka një kompleksitet më të madh. Strategjia që ne kemi ndjekur e mbushjes së popullatës me dozën e parë, një strategji e ndjekur nga një vend i cili është për t’u marrë eksperiencë, Mbretëria e Bashkuar, është një strategji që duket që ka sukses”, bëri me dije Bino.

Masat e tjera, si, ndalimi i grumbullimeve dhe ndalimi i qarkullimit nga ora 22:00 deri në 06:00 do të mbeten të pandryshueshme dhe situata do të vlerësohet në dinamikë nga ekspertët./a.m/NOA.al