Transmetuar më 05-05-2021, 10:57

Elseid Hysaj mbetet një nga emrat më të lakuar në tregun e transferimeve. Anësori kuqezi përfaqëson një okazion të vërtetë në këtë merkato vere pasi largohet nga Napoli me parametra zero, ky fakt ka bërë që shumë klube të mëdha europiane të interesohen për mbrojtësin.

Mes shumë emrave që kanë dalë në skenë këtë periudhë, sipas mediave spanjolle edhe Real Madrid ka shfaqur interes për lojtarin e Napolit.

Nuk është thjeshtë një thashethem por një interesim konkret nga gjigandët spanjoll duke parë që Hysaj mund të përshtatet në dy krahët e mbrojtjes dhe mund të jetë një alternative luksi për çdo trajner që do të drejtojë Realin sezonin e ardhshëm.

Për momentin, ky lajm nga mediat spanjolle është thjeshtë një opsion i bujshëm, ideja e Hysaj dhe agjentit të tij është të gjejnë një skuadër ku anësori të ketë më shumë minuta, preference e parë mbetet Serie A ku Roma, Lazio dhe Milan kanë shfaqur interesim për të.

Prej kohësh verdhekuqtë kanë ndjekur nga pranë situatën e Hysaj por ardhja e Mourinho në kryeqytet mund të ndryshojë këtë qasje të klubit roman./K.B/NOA.al