Transmetuar më 04-05-2021, 17:13

E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë Drane Kabali një grua 50-vjeçare e cila jeton me të birin, nusen, nipin dhe mbesën. Drania tregon se e martoi babai me një burrë ku kishte dëgjuar shumë fjalë të mira për familjen e tij, por pasi u martua ajo zbuloi se bashkëshorti vuante nga një sëmundje e keqe.

Ka qëndruar vetëm 6 vite e martuar dhe të gjatë këtyre viteve kanë rendur vetëm nëpër spitale. Nga kjo martesë lindi djali i tyre, por nuk kishin asnjë kusht, nuk kishin çfarë të hanin dhe çfarë të vishnin. Madje ajo ka lindur dhe një djalë të tjetër më parë, por i vdiq kur ishte 2 vjeç.

Drane: Ishte fëmijë i shkathët, i zgjuar, por hallet ekonomike ishin teje të vështira për ta ndjekur. Në spitalin e Rëshenit kisha një kushërirën e burrit që na ka ndihmuar shumë.

Mirela Milori: Shumë fatkeqësi e madhe, po djali i dytë kur erdhi?

Drane: Pasi vdiq i pari, kam pasur 4 vite martesë. Bashkëshorti ndahet nga jeta kur djali ishte 2 vjeç.

Drania tregon se mbeti e ve në moshë shumë të re, vetëm kur ishte 24 vjeç dhe pasi i vdiq bashkëshorti ajo ka menduar dhe të vetëvritej, por njerëzit e saj të afërt e mbajtën shumë pranë dhe e mbështetën, e kanë ndihmuar dhe me psikolog, por vazhdonte ende të kishte shumë vështirësi ekonomike, ku askush nuk kishte çfarë të bënte për të.

Drane: Kam punuar në qymyr, në llaç e ndërtim, kam mbajtur dru, kam punuar në shumë punë të rënda. Pastaj iu futa rrugës së petave të byrekut për t’i shitur, kam bërë 20 vite dhe fillova të kisha probleme me qafën. Unë kam thyer qafën, jam rrëzuar nga një pemë dhe kam rënë në tokë. Aty pësova një goditje në shpinë nga mënyra se si rashë dhe unë kam qenë në spital kur ka vdekur burri.

Mirela Milori: Sa petë holloje?

Drane: Duke shtrënguar veten shumë, kam arritur deri në 800 peta për 24 orë, por pa fjetur asnjë sekondë. Me ato e kam rritur djalin.

Mirela Milori: Ngele e ve shumë e re, pse nuk u martove?

Drane: Kisha frikë, mbi të gjitha djali mos ta lija rrugësh. Kisha kërkesa pa masë por nuk pranoja.

Drania tregon se djali i saj është një njeri shumë i mirë dhe inteligjent, por duke e parë të ëmën në atë gjendje dhe duke u përballur me varfërinë apo dyert e mbyllura nga çdo institucion ai filloi të pijë. Pasi u infektua me Covid, atë e pushuan nga puna dhe u fut në depresion. Me shumë mundim Drania e shpëtoi atë duke marrë Lekë borxh për t’i blerë mjekimet.

Aktualisht familja gjendet në një situatë të vështirë ekonomike, Drane ka vetëm një pension qe e merr nga bashkëshorti prej 100 mije lekësh të vjetra.

Gruaja thotë se nuk merr as ndihmë ekonomike dhe nuk gjen punë. Ajo kërkon bonus qeraje ose banese sociale.