Detox tani – Këshilla për shërimin e menjëhershëm dhe të plotë të trupit
Transmetuar më 06-05-2021, 06:25

Pjesa më e madhe e njerëzve, në ditët e ftohta të dimrit që u mbyll para disa ditësh dhe në festa si ajo e Pashkëve që sapo kaluam, lënë pas dore ushtrimet fizike dhe sfidojnë çdo rregull diete.

Por teksa vera po afron, ca kile tepër duken goxha dhe na fusin sikletin e daljes në plazh, shkruan noa.al.

Megjithatë ka një lajm të mirë, sepse periudha që po kalojmë është një mundësi e artë për t’i dhënë trupit tonë frymëmarrje të vogla detoksifikimi, për të çlodhur sistemin tonë të tretjes, zemrën, por edhe për të shkuar më pas, pa frikë te peshorja.

Mos u trembni, kjo nuk do të thotë që duhet të ushtrohemi për orë të tëra ose të ndjekim një dietë ekstreme.

Trupi ynë ka mekanizma për të detoksifikuar vetveten. Mëlçia dhe veshkat janë ato që merren me këtë proces, sepse ato janë organet përgjegjëse për metabolizmin dhe filtrimin e shumicës së toksinave në trupin tonë.

Duke pasur parasysh rolin e këtyre organeve, kuptojmë se detoksifikimi është një proces shumë i domosdoshëm i trupit, i cili lind natyrshëm.

Shumë nga ju që po lexoni këtë speciale të noa.al që citon nutricionistët profesionistë, mund të dallojnë te vetja, teprimin me ushqimin, llojet e tij dhe mënyrën e kohën e të ushqyerit. Mishra të skuqura, sallame, qofte e patate friteze, ëmbëlsira, këto e plot të tjera e stërmundojnë trupin. Në këtë pikë lind nevoja për detoks.

Por, a ka mënyra për të forcuar mekanizmat e detoksifikimit të trupit tonë.

Po! Si fillim mos harroni, sa më shumë lëngje. Dhe nuk e kemi fjalën për shishe dhe kanoçe me pije të gabuara. Jo!

Ujë, thjesht ujë dhe ndonjë gjysmë gote lëng të shtrydhur.

Marrja e këtyre lëngjeve promovon mekanizmat natyrorë të detoksifikimit të trupit tonë. Kështu që ne duhet të pimë mjaftueshëm ujë, lëngje me fruta dhe perime të freskëta ose çajra, të tilla si kamomili, çaji jeshil, sherebela, por pa shtuar sheqer.

Shtoni fibrat

Fibrat ndihmojnë në rritjen e lëvizshmërisë së zorrëve, duke lehtësuar dhe përshpejtuar kalimin e ushqimit përmes saj dhe duke ndihmuar kështu në uljen e ndjesisë së fryrjes, por duke realizuar edhe rënien në peshë. Ka edhe një bonos, fibrat janë ilaç natyral kundër kapsllëkut. Për të marrë fibra ne duhet të kemi në pjatat tonë shumë fruta, perime, bishtajore, farëra, arra dhe drithëra.

Hani pak dhe shpesh

Është e rëndësishme që të konsumojmë vakte të vogla gjatë ditës. Mund të hamë disa herë, por nga pak. Duke u ngopur pjesërisht me qëllim që të manipulojmë ne trurin dhe jo ai ne.

Por përse kjo gjë? Sepse kur ne ulemi për të ngrënë një vakt ushqimi, teksa hamë fjala vjen një pjatë gjellë, ndjejmë që nuk jemi ngopur dhe kërkojmë një të dytë. Kjo ndodh sepse truri vonon të paktën 20 deri 30 minuta që të marrë sinjale për ndjesinë e ngopjes. Ndaj ngrënia e shpeshtë ndihmon në metabolizmin tonë.

Sidomos në mes-vakte duhet të zgjedhim fruta dhe lëngje të freskëta frutash dhe perimesh.

Kufizoni kripën

Konsumi i tepërt i kripës çon në mbajtjen e lëngjeve. Ndaj duhet ta kufizojmë kripën dhe ta zëvendësojmë atë duke përdorur zëvendësues natyralë, të tillë si, uthull, limon, balsamic dhe shumë erëza si majdanoz, rigon, etj.

Shmangni mishin e kuq

Ne duhet të zgjedhim të hamë proteina që gjenden te peshku në vend të atyre që gjenden te mishi i kuq (viçi, mishi i derrit, qengji, dhia), si dhe bishtajore, tërshërë dhe makarona integrale me salca perimesh.

Qëndroni larg alkoolit

Metabolizmi i alkoolit mbush trupin tonë me toksina. Ndaj duhet ta shmangim alkoolin. Përveçse bën dëme plot që dihen, arsyeja e mësipërme është domethënëse, mbushet trupi me helme!

Sa më pak ëmbëlsira

Duhet të shmangni ëmbëlsirat që kanë çokollatë, krem ​​pana dhe nëse keni dëshirë për diçka të ëmbël zgjidhni mjaltë, reçel apo dhe pastel.

Ngrënie e një darke të lehtë

Sigurohuni që të keni vaktin e fundit të ditës të paktën dy orë para gjumit dhe të zgjidhni një darkë të lehtë, me ushqime të tilla si një sallatë ose kos me fruta dhe / ose drithëra apo një supë me perime.

Rritni aktivitetin fizik

Ushtrimet rritin qarkullimin e gjakut dhe promovojnë mirëqenien, ndërsa përmes djersitjes që shkakton ne mund të eleminojmë toksinat.

Djersa përbëhet kryesisht nga uji, me sasi të vogla të elementëve gjurmë si kalium, magnez dhe ure dhe mund të përmirësojë disi detoksifikimin e trupit.

Nuk kemi nevojë të ushtrohemi me orë të tëra, mjafton vetëm 20 minuta ushtrime fizike për të rritur rrahjet e zemrës dhe për të çliruar ca djersë. /noa.al