Manastirliu në Kuvend: Mbi 100 mijë qytetarë të vaksinuar me dy doza, të vendosur të ecim shpejt drejt objektivit 1 milion vaksinime
Transmetuar më 04-05-2021, 12:02

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në seancën e parë plenare pas zgjedhjeve të 25 prillit, tha se qeveria po angazhohet për sigurimin e dozave të tjera vaksinash.

Ajo theksoi se objektivi i parë i qeverisë ishte vaksinimi i 500 mijë personave, ndërsa tanimë objektivi është të vaksinohen 1 milionë persona.

Manastirliu nënvizoi se gjatë javës do të mbërrijnë në Shqipëri mbi 11 mijë doza të vaksinash Pfizer, ndërsa në total, deri më tani, Shqipëria ka në dispozicion 750 mijë doza vaksinash.

“Kemi mbërritur në objektivin tonë të parë prej 500 mijë vaksinimesh të kryera në ditët e para të majit dhe jemi të vendosur të ecim me shpejtësi drejt objektivit të ri, për kryerjen e 1 milion vaksinimeve. Sot janë rreth 100 mijë qytetarë që i kanë kryer të dy dozat e vaksinës, duke siguruar një mbrojtje më të mirë nga virusi i rrezikshëm”, deklaroi Manastirliu. Duke folur për kalendarin e mbërritjes së vaksinave, Manastirliu tha: “Kemi mbi 730 mijë doza vaksinash që kanë mbërritur në vend.

Dhe përgjatë kësaj jave do të kemi edhe 11 mijë e 700 doza vaksine Pfizer, të cilat priten të vijnë. Sikundër vijojmë të furnizohemi përgjatë muajit maj me 99 mijë doza vaksine nga kontrata jonë me Pfizer, instrumentin e Covax, si dhe me një instrument të ri të mbështetjes së Bashkimit Europian, për alokimin e vaksinave për vendet e Ballkanit. Është fakt se tashmë kemi një përgjysmim të incidencës dy javore për 100 mijë banorë dhe ka një rënie të ndjeshme të shtrimeve në spitale nga javët që lamë pas.

Edhe pozitiviteti është ulur dhe është tashmë 4% mesatarisht. Ekspertët tanë të Komitetit Teknik janë duke vlerësuar në mënyrë dinamike masat, por gjithçka do të varet nga ecuria e epidemisë. Çlirimi gradual i jetës social-ekonomike duhet medoemos të shoqërohet nga masat e distancimit fizik, vendosjen e maskës dhe mbajtjen e higjienës, në mënyrë që të mos bëjmë hapa mbrapa dhe të vijojmë të vendosur përpara në këtë kilometër të fundit drejt kthimit në normalitetin aq shumë të dëshiruar”, tha Manastirliu. Është e rëndësishme që të dëgjoni autoritetet shëndetësore. Fakti që sot janë mbi 400 mijë gjyshe, gjyshër, prindër të vaksinuar, të çliruar nga barra e rëndë e izolimit të këtyre muajve, duhet të na bëjë të gjithëve akoma më të përgjegjshëm, për rëndësinë që ka vaksinimi i shpejtë, për të siguruar mbrojtjen ndaj virusit të rrezikshëm; për të marrë pa mëdyshje, vaksinën e parë që ju ofrohet. Sepse çdo kohë e fituar, është një jetë e shpëtuar”, tha Manastirliu./K.B/NOA.al