Ndizet merkato, Real Madrid tenton Max Allegri, po Zidane?
Transmetuar më 04-05-2021, 11:30

Massimiliano Allegri do të rikthehet në pankinë në fund të sezonit, kjo është e vetmja gjë e qartë për momentin, fakt që ia ka rrëfyer edhe miqve të tij por pa e specifikuar se ku. Nuk është një sekret as fakti që Juve e ka në krye të listës por post Pirlo, kjo e kushtëzuar shumë nga miqësia e madhe që Allegri ka me presidentin Agnelli.

Në të njëjtën kohë mes Juves dhe Allegrit është futur Real Madrid, as ky fakt nuk është një rastësi pasi Florentino Perez e pëlqen shumë teknikun italian, tentoi edhe në 2018 ta transferonte në Madrid.

Kjo hipotezë ka një bazë logjike pasi raporti i Perez me Zidane nuk është nga më të mirët, pas rikthimit të tij në Madrid kanë ndryshuar shumë gjera. Në çdo rast kur është pyetur për të ardhmen e Zidane presidenti Perez është kapur fort pas kontratës por pa qenë i qartë.

As Zidane nuk është i sigurt për të ardhmen e tij, i pyetur mbi këtë temë u shpreh i bindur se në Madrid nuk e mban kontrata. Nëse Zidane vendos të largohet, Allegri është opsioni i parë për Perez ndërsa për vetë Zidane në tavolinë janë dy pista, të marrë drejtimin e përfaqësueses franceze ose të pranojë sfidën për të drejtuar Juventus./ K.B/NOA.al