Transmetuar më 04-05-2021, 10:41

Një automjet tip “Opel Zafira” ka marrë flakë në ecje e sipër në qytetin e Vlorës, duke krijuar panik. Makina është shkrumbuar tërësisht, ndërsa zjarrëfikësja kur mbërriti nuk kishte asgjë për të bërë.

Drejtuesi i mjetit, i identifikuar si Ramazan Dëraj ka parë të dilte tym nga pjesa e motorit dhe ka dalë jashtë duke tentuar të fikë flakët.

Ai thotë që shkaku ishte një shkëndijë elektrike, të cilën e konfirmon edhe pasagjeri që ishte në mjet.

“Doli tymi, zbrita nga makina, ajo vazhdoi. Impianti mesa duket. Makina kishte 2 orë e fikur. E kam me naftë. Për çerek ore mbaroi, i hodha ujë sa kisha mundësi. Sa erdhi zjarrfikësja kishte mbaruar. Dhe të kishte ardhur për 5 minuta, nuk kishte çfarë t’i bënte. Mori shumë shpejt impianti”, tha drejtuesi i mjetit për TCh, teksa siç tregojnë edhe pamjet, makina u shkrumbua tërësisht.

Vetëm 2 ditë më parë në lagjen Osman Haxhiu një tjetër mjet pësoi të njëjtin fat teksa ishte i parkuar.

“Sot, rreth orës 09:30, në lagjen “Partizani”, Vlorë, ka rënë zjarr dhe është djegur një mjet tip “Opel” i parkuar, në pronësi të shtetasit R. D. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.

/a.m/NOA.al