Transmetuar më 01-05-2021, 12:18

Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për lirim të përkohshëm.

Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes një njoftimi për media të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave Speciale.

Kërkesa është refuzuar në tërësi dhe se Veseli ka kohë prej 10 ditësh ta publikojë të redaktuar jë versio të replikës ndaj këtij vendimi.

“Te premten më 30 prill 2021, paneli i Gjykatës së Apelit nxori katër vendime me të cilat hodhi poshtë apelet e parashtruara nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kundër katër vendimeve përkatëse të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilat ai refuzoi kërkesat e tyre fillestare për lirim të përkohshëm. Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit e mohon ankesën në tërësi dhe urdhëron Veselin që të paraqes një version publik të redaktuar të replikës përbrenda 10 ditëve”, thuhet  në vendim.

Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi janë të fundit që u dërguan në Hagë.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ish- presidenti Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin akuzohen për krime lufte.

Ndaj tyre rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera ç’njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill-gushtit 1998.