Transmetuar më 30-04-2021, 17:45

Ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili kandidonte për deputet në qarkun e Tiranës, ku PS mori 18 mandate, mbeti jashtë Kuvendit.

Majko ka reaguar në lidhje me zgjedhjet duke thënë se fushatën për numrin e tij personal e kaloi në plan të dytë. Ai thotë se  “rezultati nuk është një përrallë që e mposht me logjikë.”

Nuk hezitoi që të përmendte një shprehje të babait për faktin se PS nuk arriti të siguronte 19 mandate në Tiranë, duke thënë:  “Siç do të thoshte im atë ndjesë pastë, 19-ta kërkon leje për t’u ulur në aeroport!”

Reagimi i plotë i Majkos:

Miq, megjithëse matematika më rendit në 10 kandidaturat e votuara në qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e 25 prillit, unë nuk do të jem deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Sistemi elektoral është ky që kemi pranuar. Përvoja më ka mësuar se duhet të jesh i gatshëm të shohësh atë që ekziston.

Isha i bindur se do ti fitonim 19 mandate në Tiranë. Ndaj fushatën për numrin tim personal 19 e kalova në plan të dytë. Edhe për këtë arsye, rezultati nuk është një përrallë që e mposht me logjikë. Ju falenderoj që votuat për numrin 12, Partinë Socialiste! Sic do të thoshte im atë ndjesë pastë,… “19-ta kërkon leje për tu ulur në aeroport!” Ju jam mirënjohës që më bëtë ky që jam. Shpresoj tu kem dhënë “everything”! Mirupafshim! Pandi Tiranë 30 Prill 2021.

/a.m/NOA.al