Transmetuar më 30-04-2021, 14:05

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar zyrtarisht të gjithë emrat e kandidatëve që kanë fituar mandatin e deputetit në bazë të votave që kanë marrë.

Në një konferencë për shtyp, Celibashi bëri me dije edhe disa të dhëna të tjera lidhur me procesin zgjedhor. Kështu, ai zbuloi edhe përqindjet e qytetarëve që dhënë votë preferenciale për kandidatët e partive që kanë votuar.

“PSD – 78.48 % e votuesve të kësaj partie kanë votuar edhe për kandidatë. LSI – 76.21 % e votave janë edhe për kandidatët e kësaj partie. PD-AN – 76.71% e votuesve kanë zgjedhur edhe kandidatët. PS – 74.75 % e votuesve që kanë dhënë votë edhe për kandidatët. Nëse fleta e votimit do të ishte me emra, ndoshta do të ishte ndryshe.

Por, KAS vendosi se me numra ishte informacioni më i thjeshtë për votuesit. Kjo është diçka subjektive, por fakt është që deri më tani kemi mbi 80 mijë fletë të pavlefshme. Para se të këto fletë votimit t’i djegim, është mirë të shohim arsyet pse janë të pavlefshme. Në shumicën e tyre kanë votuar kandidatin e një subjekti dhe subjektin tjetër”, tha Celibashi./K.B/NOA.al