Transmetuar më 30-04-2021, 13:10

Është arrestuar Florjan Tonuzi 26-vjeçari, që vrau me thikë vëllain e tij Benard Tonuzi 23 vjeç në Allajbegi të Maqellarës.

Arrestimi i tij është bërë nga policia e Dibrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Autori ishte fshehur në një banesë të pa banuar të fshatit Kurbeg, ku gjatë kërkimeve të policisë ka tentuar të ikë me vrap, por është ndaluar nga vetë drejtori i policisë dhe shefi i Komisariatit.

Ngjarja e rëndë ndodhi një natë më parë, ku 26-vjeçari goditi me thikë vëllain e tij më të vogël, duke i shkaktuar vdekjen. Ende nuk dihen motivet që e çuan të riun të bëjë një akt të tillë, ndërsa policia ka njoftuar se krimi i rëndë ka ardhur pas një konflikti mes tyre për motive të dobëta.

Njoftimi i plotë:

Vihet në pranga, autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në fshatin Allabegi, ku humbi jetën një 23 vjeçar.

Operacioni i finalizuar nga DVP Dibër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër në bashkëpunim me DVP Dibër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në mesnatën e datës 29.04.2021, në Maqellarë, kanë ushtruar kontrolle në zonë dhe si rezultat u bë e mundur gjetja e vendodhjes dhe kapja e shtetasit F. T., 26 vjeç, i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Kurbeg, Maqellarë.

Ky shtetas për motive të dobëta, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës vëllain e tij, i cili si pasojë e plagëve humbi jetën në spital.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.