Transmetuar më 29-04-2021, 19:48

Një ngjarje tragjike ndodhi sot në qytetin e Alessandria,  krahina e Piemontes, në Itali.

Një magazinë në ndërtim, e kompanisë së njohur amerikane Amazon, është shembur duke i marrë jetën një emigranti shqiptar 50-vjeçar.

Shqiptari është identifikuar si Flamur Alsela, me banim në Chiari, Breshia.

Ai mësohet se vetëm dy ditë më parë kishte festuar 50-vjetorin e lindjes.

Të plagosur kanë mbetur edhe pesë persona të tjerë, një prej të cilëve është në gjendje të rëndë për jetën.

Magazina e Amazon, e cila ishte në fazë ndërtimi, ishte e pozicionuar në Parkun Industrial Marenga Retail Park. Mediat italiane raportojnë se gjashtë punëtorë shqiptarë, mes të cilëve edhe kryepunëtori, kanë rënë gjatë punës nga një lartësi nga gjashtë deri në dhjetë metër.

Një pllakë betoni është rrëzuar dhe ka rënë mbi traun ku qëndronin punëtorët, duke shkatërruar të gjithë strukturën, si dhe i mori jetën punëtorit shqiptar.

Përfaqësuesit e sindikatave janë shprehur se shumë herë kanë kontrolluar këtë kantier e gjithçka deri më sot është kryer në respektim të normave të punës.

/a.m/NOA.al