Transmetuar më 29-04-2021, 12:48

Një 44- vjeçari shqiptar i janë sekuestruar pasuri me vlerë 1.2 milionë dollarë, përfshirë këtu një njësi tregtare me vlerë të përafërt rreth 1 milion dollarë, një shoqëri sh.p.k, 1 llogari bankare me vlerë rreth 206.000 dollarë.

Pak ditë më parë, mediat e huaja, kryesisht ato amerikane, raportuan se personi të cilit i janë sekuestruar pasuritë është një shqiptar, i cili dikur banonte në Michigan.

Ai është akuzuar nga zyrtarët federalë në SHBA se ishte koka e një organizate ndërkombëtare të trafikut të kokainës prej 100 milionë dollarësh, që planifikonte të përdorte një nëndetëse për të transportuar drogë përtej Atlantikut.

Shqiptari i arrestuar, Ylli Didani, 44 vjeç, u padit për shpërndarjen e kokainës.

Didani, për të cilin prokurorët pretendojnë se është në krye të një organizate globale droge që shpërndau kokainë në 15 vende, u arrestua në Charlotte, Karolina e Veriut, në fund të muajit të kaluar.

Sipas BIRN, në vitin 2018 prokurorët shqiptarë ndërprenë një hetim për pastrim parash kundër Ylli Didanit. Më pak se dy vjet më pas ai u arrestua në Shtetet e Bashkuara nën akuzat për trafikim sasish të konsiderueshme kokaine në Europë dhe pastrim parash.

Policia në Tiranë finalizoi dje operacionin policor të koduar “Dërgesa”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

DEA thotë se Ylli Didani drejtonte një organizatë që merrej me “trafik kokaine në shkallë të gjerë dhe pastrim parash”, e cila projektoi një dron amfib për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut në Europë dhe kishte financime nga një biznesmen në fushën e telekomunikacionit në Miçigan, Marty Tibbitts deri kur Tibbitts vdiq pasi rrëzoi avionin e tij luftarak të epokës së Luftës së Ftohtë në Uiskonsin në vitin 2018.

Sipas BIRN, vetëm gjatë dy viteve të fundit, autoritetet në SHBA dhe Europë kapën rreth 3.5 tonë kokainë, e cila dyshohet se është trafikuar nga grupi i Didanit nga Amerika e Jugut në Bilbao në Spanjë, në portin holandez të Roterdamit dhe në Antwerp të Belgjikës.

/a.m/NOA.al