Transmetuar më 24-04-2021, 19:03

Të sëmurët kronikë po vaksinohen kundër Covid-19 pa asnjë lloj kriteri moshe.

Mjekët po i njoftojnë ata sipas rëndesës së sëmundjes apo llojit të saj.

Por ata ngrenë shqetësimin për mungesën e numrave të kontaktit që po ju vështirëson mjekëve punën për t’i gjetur personat që kanë radhën për vaksinë.

“Po i njoftojmë të gjithë të sëmurët kronikë pa lidhje moshe, por në bazë të sëmundjes. Problem mbetet që ata nuk kanë lënë numra kontakti në dosje ose e kanë ndryshuar atë dhe nuk po arrijmë t’i kontaktojmë”, thotë mjekja Ursina Hajdini.

Për të sëmurët kronikë janë vënë në dispozicion dy vaksina.

“Po vaksinojmë me AstraZeneca dhe kinezen. Këtë e përcakton mjeku në varësi të sëmundjes. Ndërsa Pfizer po e përdorim tek personat e transplanteve, dializa”.

Që prej fillimit të procesit të vaksinimit në vend deri më tani janë vaksinuar rreth 390 mijë persona, duke filluar nga mjekët, mësuesit, efektivët e policisë, punonjësit e medias, punonjësit e fasonerive, operatorët turistik, të sëmurët kronikë dhe personat mbi 60 vjeç.