Transmetuar më 22-04-2021, 15:08

Arban Domi, drejtori i zhvillimit të vaksinave në GEOVAX në SHBA, analizoi uljen e shtrimeve në spitalet Covid në Shqipëri si dhe vendimin për të karantinuar para zgjedhjeve të 25 prilli emigrantët ose qytetarët, të cilët do të mbërrijnë vijnë nga vendet fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

Ai tha se ulja nuk ka ardhur si pasojë e vaksinimit masiv, por si rezultat i imunitetit të tufës.

Domi gjithashtu komentoi edhe vendosjen e karantinës 2-javore për emigrantët nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia dhe tha se është një vendim absurd, pasi, sipas tij, aeroportet dhe lëvizjet në vende të tjera janë të hapura.

Ndërsa e konsideron një vendim pa bazë shkencore, Domi thotë se është e palogjikshme që personat e kanë kaluar Covid apo që e kanë marrë vaksinën të vendosen në karantinë.

“Greqia dhe Maqedonia kanë numra më të lartë ditor se Shqipëria, por ndërkohë Kosova , Mali i Zi Serbia i kanë numrat shumë më të lartë se Greqia. Është absurditet të bësh karantinë kur aeroporti është i hapur dhe lëvizjet e tjera janë të hapura”, tha Domi, i ftuar në “ABC”.

“Sot flitet shumë për vaksinimin në Shqipëri dhe në këtë vendim nuk u tha që kush ka bërë vaksinën nuk ka përse të vaksinohet po ashtu edhe një person që e ka kaluar Covid nuk ka përse të futet në karantinë. Ky vendim nuk ka asnjë bazë shkencore dhe për mendimin tim nuk ka lidhje fare me shëndetin”, u shpreh Arban Domi./a.m/NOA.al