Transmetuar më 20-04-2021, 18:18

Xhorxhina Roçi sot ka një pasion të madh për librat.

Por përveç saj, ajo ka treguar edhe për historinë e fortë të jetës së saj, ku përmes dy momenteve të rëndësishme, por shumë të vështira në jetë, 28-vjeçarja ka kuptuar rëndësinë e jetës dhe dëshiron të jetë frymëzim për të gjithë personat që aktualisht po kalojnë situata të vështira, duke i motivuar.

Kur ka qenë 12 vjeç për shkak të bullizmit nga shokët dhe shoqet e saj dhe nga vlerësimi i ulët i vetes, ku e shihte veten si njeri të padobishëm, ajo tentoi të hidhej nga kati i 4-t por shpëtoi mrekullisht. Pasi u rizgjua, Xhorxhina ka kuptuar gabimin që kishte bërë duke parë lot në sytë e familjarëve dhe kështu filloi ta donte më shumë veten duke mos u ndikuar më nga askush.

Ajo ishte e ftuar nga “Rudina” në Tv Klan, ku ka treguar edhe momentin e vështirë në jetë. E pyetur nga moderatorja se ka rrezikuar jetën, teksa zgjodhi të hidhej nga kati i katërt në moshën 12-vjeçare, vajza, e cila për fat të mirë Zoti e shpëtoi, tregoi ngjarjen sesi ka ndodhur dhe shkakun.

“Për ta treguar këtë histori, për mua ka qenë shumë e vështirë sepse edhe kur e rikujtoj edhe kur e kam rikujtuar më kapte ankthi dhe më merrej fryma sepse ka qenë një moment shumë i vështirë. Unë kam qenë një vajzë disi e mbyllur, pra nëse kisha emocione ose nëse bullizohesha në shkollë, unë e mbaja përbrenda. Unë vija nga një familje e thjeshtë që në bazë të sakrificave të tyre më kanë edukuar me dashurinë për shkollën, për studimin, sidomos im at që nuk jeton më fatkeqësisht. Ai ma ka rrënjosur këtë gjë dhe më dukej në fillimet e mia sikur isha një barë për familjen”, tha ajo.

“Nuk më dukej vetja e dobishme në familje dhe më dukej vetja jo e bukur, jo e shkathët si shoqet. Erdhi një moment që fillova të mendoj shiko për çfarë i duhem unë shoqërisë? Shoqet në shkollë më tallnin, në shtëpi unë çfarë kontributi do jepja se isha shumë e vogël për të dhënë një kontribut qoftë monetar qoftë edhe në këshillim. Kështu që erdhi një moment që unë isha e frustruar dhe i mbaja këto gjëra përbrenda, jo se nuk e kisha mbështetjen nga familja sepse isha më e vogla dhe më e llastuara, çdo gjë jepjani gocës së vogël, mos ma luani gocën e vogël, por e kisha këtë frustrim brenda vetes sime dhe nuk e shprehja”, – tha Xhorxhina Roçi.

/a.m/NOA.al