Historia e pabesueshme/ 5-vjeçari indian humbi familjen pasi e zuri gjumi në tren, ribashkohet pas 25 vitesh
Transmetuar më 20-04-2021, 13:49

Një djalë të vogël nga një familje e varfër në Indi e zuri gjumi në një tren dhe kur u zgjua e gjeti veten 1000 milje larg shtëpisë. Sado e pabesueshme mund t’ju tingëllojë, është e vërtetë. Djali quhej Saro dhe ishte vetëm pesë vjeç.

Për disa kohë jetoi rrugëve derisa një polic e mori dhe e çoi në jetimore. Shpejt Saro gjeti një familje të re. Ai u adoptua nga një çift australian dhe filloi një jetë të re në Tazmani. Vite më vonë, pasi Saro u rrit dhe ishte një djalosh i ri, normalisht që kishte një dëshirë të zjarrtë të mësonte më shumë për familjen dhe origjinën e tij.

Prandaj nisi një kërkim duke përdorur si mjet orientues “Google Earth”. E dëgjuat shumë mirë përdori “Google Earth”. Saro nuk e kishte harruar nënën e tij biologjike. Imazhi i saj i shfaqej herë pas here vazhdimisht. U nis ta kërkonte me një çantë krahëve dhe një laptop. Ishte shumë i vendosur dhe iu fiksua që do e gjente familjen e tij me patjetër.

Përdori njohuritë që kishte në matematikë për të bërë llogaritur koordinatat si dhe gjithçka, çdo kujtim që i vinte ndër mend nga vendi i lindjes. Pas një kohe të gjatë kërkimi, Saro më në fund e gjeti vendlindjen e tij, një fshat në Indinë Qendrore, dhe aty kujtimet filluan t’i shfaqeshin radhë pas radhe. Pylli ku luante, tempulli ku familja e tij lutej, ura e vogël, muri me tulla dhe aty mes njerëzve në treg u takua me nënën e tij biologjike.

Mund t’i imagjinojmë shumë mirë emocionet që ndjenë nënë e bir. Pas 25 vitesh gjetën njëri-tjetrin. Në një intervistë vite më vonë, Saro është shprehur: “Doja t’i thosha, e di që më ke kërkuar, por unë kalova tërë jetën duke të kërkuar ty”.

Tashmë Saro ka dy familje dhe jetën e tij e ka ndarë mes Australisë dhe Indisë. Ai e do nënën e tij biologjike, por do gjithashtu shumë edhe prindërit adoptues. Historia e Saros ka frymëzuar mijëra persona. Ai madje ka shkruar një autobiografi e cila u bë edhe film tepër i suksesshëm, ku luan edhe aktorja e njohur Nicole Kidman. Morali i historisë: “Familja është gjëja më e shtrenjtë që kemi dhe me kurajo dhe vendosmëri mund të arrini gjithçka”./K.B/NOA.al