Transmetuar më 19-04-2021, 15:22

Sulm me thikë brenda xhamisë te rruga e Kavajës, 5 persona të plagosur. Ngjarje e paprecedentë në Shqipëri. Dyshime për akt terrorist. Hetohet dhe gjendja mendore e të dyshuarit

Ngjarje si kjo e sotmja që noa.al ka raportuar në kohë reale, i kemi raportuar vetëm nga vende të huaja, por kurrë në Shqipëri.

E megjithatë ka ndodhur. Personi që shikoni në foto, Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, me një thikë me vete ka hyrë sot ndërsa bëhej falja e pasdreke në xhaminë Dine Hoxha dhe ka sulmuar besimtarët.

Në sulm e sipër ka arritur të plagosë me thikë pesë persona që ishin aty për të falur ikindinë, namazin e pasdrekës.

Noa.al konfirmoi pranë policisë së Tiranës ngjarjen. "Autori i plagosjes është neutralizuar dhe arrestuar nga sherbimet e Policisë", konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Shtetit,  Gentian Mullai.

Çfarë ndodhi

I dyshuari Rudolf Nikolli

Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e xhamisë në rrugën e Kavajës dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës të paktën 5 shtetas.

Zyrtarisht policia tha se janë plagosur pesë persona. Por imami i xhamisë, tha se janë plagosur disa besimtarë që kishin ardhur për tu falur si dhe disa të tjerë, staf i xhamisë.

Imam Ahmed Kalaja, tha se “shpresojmë të mos ketë qenë një akt terrorist”.

Imami tha se besimtarët ishin duke u falur kur janë sulmuar dhe më pas ai ka dalë duke sulmuar edhe njerëz në rrugë.

Pas reagimit të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Thika e krimit

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Pamje nga vendngjarja

Të dhëna mbi të plagosurit

Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë në lidhje me 5 persona të plagosur, policia ka bërë me dije inicialet dhe moshat e tyre:

D. K., rreth 35 vjeç, S. P., rreth 22 vjeç, M. K., rreth 24 vjeç, K. J., rreth 26 vjeç dhe A. T., rreth 23 vjeç.

Mësohet se ata ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Pamjet/ Shkelma dhe karrige kokës, momenti kur besimtarët neutralizojnë agresorin që sulmoi me thikë 5 të rinj në xhami

Mesazhi i imamit

Ahmed Kalaja

Imami Ahmed Kalaja përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjete sociale dha informacione në lidhje me sulmin e ndodhur në ambientet e xhamisë te rruga e Kavajës.

Kalaja bën me dije se u sulmuan 5 persona mes të cilëve pjesë e stafit të xhamisë dhe disa besimtarë.

Imami Ahmet Kalaja: Shpresojmë që mos të ketë një akt terrorist, por shpresojmë të ketë qenë një njeri me të meta mendore. Shpresojmë që për punë orësh xhamia të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Janë plagosur disa vëllezër nga stafi i xhamisë, dhe disa besimtarë të cilin kishin ardhur për të adhuruar Zotin.

I lutemi Zotit që personi të marrë dënimin e merituar. Paqja qoftë mbi ju."