Transmetuar më 17-04-2021, 12:39

Riza Strazimiri, i riu nga Shqipëria, 25 vjeç, i cili jetonte prej vitesh në Livorno humbi jetën pas një aksidenti në vendin e punës.

Ngjarja tragjike ndodhi më 15 nëntor 2008.

Prej dy muajsh ai ishte i martuar me Dorina Danushin, 25 vjeçe. Çifti priste edhe një fëmijë.

Dorina, për shkak të dhimbjes së thellë që përjetoi nga humbja e bashkëshortit, dështoi të lindte duke humbur edhe foshnjen kur ishte 4 muajshe shtatzënë. Përgjegjësit për këtë tragjedi u dënuan, por për Danushin drejtësia nuk është vendosur akoma pasi ajo nuk është dëmshpërblyer sipas vendimit të gjykatës.

Riza Strazimiri humbi jetën teksa po merrej me ngjitjen e disa paneleve, një punë me rrezik të lartë që kërkon standarde të rrepta sigurie. Ai ra nga lartësia prej 11 metrash dhe pavarësisht ndihmës së shpejtë, ai humbi jetën.

Por për familjarët, vdekja e tij e parakohshme është nisja e një kalvari të gjatë vuajtjesh që do të pasohet me seancat në sallën e gjyqit. Në vitin 2015, drejtësia italiane dënon 4 persona përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë.

Në fund vendoset edhe një dëmshpërblim për familjarët e viktimës prej 100 mijë eurosh.

“Por kur shkuam për të marrë pasuritë e të dënuarve nuk gjetëm asgjë”, tha Danushi.

Ajo tha se kompania që duhet të dëmshpërblejë familjen zvarrit procedurat.

/a.m/NOA.al