Deputeti kosovar: Kemi siguruar deri në 3 milionë vaksina Pfizer!
Transmetuar më 17-04-2021, 08:56

Deputeti i PDK’së Bekim Haxhiu thotë se ka arritur të kontaktojë me kompaninë amerikano-gjermane Pfizer dhe BioNTech duke siguruar 500 mijë deri në 3 milionë doza të vaksinave.

Thotë se i ka shkruar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili duhet t’i kthej përgjigje brenda tre ditësh kompanisë.

Sipas Haxhiut, nëse ndodh një gjë e tillë, 2 deri në 3 javë pas nënshkrimit të kontratës Kosova do të merrte vaksinat.

“Kam marrë konfirmim zyrtar për 500 mijë deri në 3 milionë doza Pfizer. Brenda tre ditësh Kosova duhet të vendos kontakt me kompaninë”, tha Haxhiu.

“Kjo është konfirmimi zyrtar dhe për detaje duhet të vazhdoj tani MSH kontaktin”, shtoi ai.

“I kam shkruar email ministrit përmes të cilës e kam njoftuar dhe i kam thënë se jam i gatshëm në çdo kohë ta takojë dhe t’i japë kontaktet. Kërkesa e kompanisë është që të vendoset në kontakt me MSH’në”, theksoi ai.

“Brenda tre ditësh ne duhet të japim një përgjigje sepse brenda javës ndryshojnë mundësitë dhe ofertat dhe s’mund të ruhen stoqet për neve”, shpjegoi deputeti.

“Qeveria është duke u menduar. Nuk është duke punuar. Nuk është duke ditur me punuar”, tha Haxhiu.

Ai theksoi se deri te sigurimi i vaksinave ka ardhur pasi ka zhvilluar kontakte me disa mjekë dhe biznesmenë shqiptarë në Europë.