Transmetuar më 15-04-2021, 23:45

Qeveria Kurti në ditët e para të saj ka miratuar dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka filluar këtë procedurë, që më pas u votua edhe në qeveri.

Ky ligj do të prekë edhe politikanët, të cilët nëse nuk e justifikojnë pasurinë e tyre, ajo do t’iu konfiskohet.

Këtë gjë e ka konfirmuar për “Bota sot” deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, i cili thotë se përveç politikanëve, edhe biznesmenët do t’i nënshtrohen verifikimit të pasurisë.

Sipas tij, ky koncept dokument është i nevojshëm për shkak se Kosova renditet si në vend shumë i korruptuar.

“Ky koncept dokument është i nevojshëm, pasi që në çdo raport ndërkombëtar renditemi si vend shumë i korruptuar. Të gjithë ata që e kanë vjedhur paranë e qytetareve duhet t’i kthehet paraja shtetit dhe popullit. Ata politikanë dhe biznesmenë që nuk e justifikojnë pasurinë e tyre, ajo do t’iu konfiskohet, pasi kanë vjedhur popullin”, ka thënë Bajqinovci .

Konfiskimin e pasurive të pamerituara e kishte paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

/a.m/NOA.al