Mjekët dhe infermierët, Manastirliu tregon shifrat: A ka pasur të infektuar pas marrjes së vaksinës
Transmetuar më 15-04-2021, 21:44

Ministrja e Shëndetësisë, njëkohësisht dhe kandidatja për deputete e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu bëri një përmbledhje të situatës në vendin me pandeminë e koronavirusit.

Sipas Manastirliu, situata epidemiologjike në vendin tonë aktualisht është e qëndrueshme kjo falë masave të ndërmarra dhe nisjes së fushatës së vaksinimit masiv.

“Në javët e fundit situata epidemiologjike ka ardhur në rënie të qëndrueshme. Numrat e infeksioneve kanë pësuar një rënie. Situata në spitale është e qëndrueshme, aktualisht kemi më pak se 200 të shtruar. Ulje ka pësuar dhe numri i fataliteteve. Rritja e infeksioneve në javët e shkuara erdhi dhe si pasojë e futjes në vend të variantit britanik. Vaksinimi në Shqipëri nisi më 11 janar me mjekët e infermierët, më pas u vaksinuan mësuesit dhe më 25 mars nisi vaksinimi masiv. Kemi arritur mbi 300 mijë vaksinime të kryera që nga nisja e vaksinimit”, tha ajo.

Manastirliu foli edhe për situatën në spitale.

“Çdo spital nëse nuk ka pacientë qëndron në gatishmëri në rast se mund të kemi një rritje të rasteve që kanë nevojë për trajtim. Komiteti i Ekspertëve është treguar i kujdesshëm dhe me lirimin e masave duke para dhe situatën epidemiologjike. Masat kanë dhënë rezultat dhe kjo tregon se edhe qytetarët i kanë zbatuar ato”, u shpreh ministrja.

Manastirliu theksoi se këtë të enjte ka kaluar shifra e 300 mijë të vaksinuarve në të gjithë vendin, ndërsa bëri të ditur se punonjësit shëndetësorë kanë marrë të gjithë të dyja dozat.

Në Absolut 4 ku ishte e ftuar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u pyet nëse ka pasur infektime me koronavirus në këtë kategori që i kanë marrë të dyja dozat. Ajo u shpreh se infektimet kanë qenë të rralla vetëm pas dozës së parë.

“Kemi të bëjmë me infektime të rralla në momentet e para pas marrjes së dozës së parë. Kjo ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilencës”, u shpreh Manastirliu.

/a.m/NOA.al