Transmetuar më 14-04-2021, 17:52

Në vijim të fushatës elektorale, kryesocialisti Edi Rama u ndal në Dibër në një bashkëbisedim me qytetarë atje.

Rama tha se projekti në zbatim i “Rrugës së Arbrit” do ta transformojë Dibrën dhe do ta lidhë më shpejt me Tiranën.

“Sot pata mundësinë që ta shikoj gjatë gjithë gjatësisë rrugën e Arbrit, cila është drejt përfundimit, por tanimë është një aks i lidhur. U gjenda shumë shpejt, si asnjëherë më parë, në Mat e Burrel. Përpara se të vija këtu pata një kënaqësi të jashtëzakonshme për vizitën që bëra në bujtinën e Jufkave, ku takova një grua që më ka lenë mbresa të forta kur e kam takuar për herë të parë, bashkë me një grup grash dibrane, nëna punëtore të jashtëzakonshme, shumë të vendosura, që në atë takim më kërkuan ndihmë për të çuar më tej ëndrrën e tyre të  transformimit të atyre punishteve të vogla në një sipërmarrje që mund të zhvillohet e që mund të krijojë punë, jo vetëm për anëtarët e familjes së tyre, por edhe për të tjerë.

Falë kurajes, falë vendosmërisë, falë punës së jashtëzakonshme të asaj gruaje dhe familjes së saj dhe falë mbështetjes që i dhamë jo vetëm asaj, por  disa grave në Dibër, sot mund të shikoje konkretisht se çfarë do të jetë Dibra nesër, çfarë do të jetë për Tiranën Dibra dhe çfarë do të jetë Tirana për Dibrën. Jo më dy qytete të largëta, por dy zona që i përkasin njëra – tjetrës. Jo më një Tiranë kryeqytet dhe një Dibër e izoluar, por një Tiranë që është graviteti i jetës ekonomike, sociale, graviteti i gjithë lëvizjeve të qarkullimit dhe  një Dibër që do të jetë jastëku i gjelbër i metropolit të Shqipërisë.

Kështu si unë sot dhe nesër – jo nesër pas dhjetëra vitesh, por nesër,- vit pas viti, ne do të shikojmë sesi mijëra e mijëra njerëz do të nisen çdo ditë nga Tirana drejt Dibrës, duke hyrën përmes atij aksi të mrekullueshëm që zbulon një pjesë Shqipërie të panjohur për shqiptarët, një copë të parajsës së natyrës sonë, për të ardhur drejt Dibrës e për të shijuar bukuritë e natyrës e mikpritjen, për të qëndruar këtu në fundjava. Dibra do të jetë një destinacion turistik edhe për ata qindra mijëra e miliona turistë që do të vijnë në Shqipëri, duke filluar menjëherë pas daljes nga tuneli i pandemisë e duke u rritur vit pas viti”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë kërkoi mbështetje me votë, që ky vizion të ecë përpara.

“ Ky nuk është më një vizion që thuhet nga dëshira e madhe. Ky është një vizion që po jetësohet. Për ta çuar deri në fund jetësimin e këtij vizioni, ne duhet të vazhdojmë sëbashku, me punë, me durim,  këmbëngulje dhe besimin e palëkundur se Shqipëria Ardhmja Jonë nuk është një slogan, Shqipëria e Ardhmja Jonë është ambicia dhe dëshira më e madhe e çdo prindi, e çdo nëne që fëmijët e saj kur të rriten të jenë krenarë jo thjesht për Shqipërinë dhe historinë e saj, për natyrën, mikpritjen, për rrënjët e tyre familjare, por të jenë krenarë për këtë shtëpi të përbashkët, e cila t’iu garantojë të gjitha kushtet që ata të ndihen gur i rëndë në vendin e vet”, tha Rama.

Edhe njëherë u kthye pas në vitin 2013, ku sipas tij vendi ishte buzë greminës.

“Ne, sot nuk jemi në buzën e greminës ku e gjetëm vendin në 2013-ën. Ne, sot nuk kërcënohemi nga një kolaps financiar i shtetit.

Sot nuk jemi në errësirën në të cilën jetonin si një hije që na ndiqte nga pas, për shkak se gjysma e njerëzve paguanin e gjysma tjetër nuk e paguanin energjinë.

Sot nuk jemi në pikën kur fëmijët tanë shkonin në shkollë e hynin në një  xhungël librash që nuk u mësonin asgjë e që kishin çoroditur mësues e prindër bashkë.

Sot nuk jemi në kohën kur në spitale nuk kishte as çarçafë e batanije e jo më pastaj ilaçe. Sot nuk jemi ende në majën për ku jemi nisur të ngjitemi.

Ngjitja në majë sot duket akoma më vështirë për shkak se nuk vijmë nga një periudhë e zakonshme, nuk vijmë nga një kohë e zakonshme qeverisjeje dhe jete të përditshme. Jemi në fund të një periudhë që nuk e kishim përjetuar kurrë më parë, që nuk e kishim ditur as që mund të ekzistonte e po të na e kishin treguar, do të na dukej si një film fantastiko – shkencor, që papritur e pa kujtuar bie një virus dhe e gjithë bota mbyllet në shtëpi, që papritur e pakujtuar nuk ka më avion, nuk ka më fluturime, nuk ka më anije e nuk ka më lundrime. Të gjithë detyrohen të mbyllen e të jetojnë me ankthin se mund të humbin nga ditë në ditë prindërit, gjyshërit, gjyshet, me ankthin e ardhjes së hijes së vdekjes në shtëpi, pasi shikoje se dikush që ti njeh humbi jetën”, u shpreh Rama. /k.k/noa.al/