Transmetuar më 14-04-2021, 13:54

Kryeministri Edi Rama sot në Burrel ndali fjalën e tij për faljen e namazit, duke theksuar se muaji i Ramazanit përkon me një frymëmarrje nga COVID.

Pas lirimit të masave si pasojë e rënies së rasteve, kryeministri paralajmëroi lehtësira të tjera. Orari policor nga ora 20:00 shkoi në ora 22:00 në mbrëmje, ndërsa ora 6:00 në mëngjes mbetet e pandryshuar.  Por kryeministri Rama tha sot se në përfundim të muajit të Ramazanit, do dalim në një tjetër nivel në luftën kundër armikut të padukshëm, duke paralajmëruar një tjetër lirim të masave shtrënguese, ndoshta heqjen e plotë të orarit policor.

“Përfitoj nga rasti që t’ja uroj të gjithë besimtarëve myslimanë këtë muaj kaq të rëndësishëm për ta. Dhe më vjen mirë që fillimi këtij muaji përkoi me një moment jashtëzakonisht optimist kundër armikut të padukshëm” – u shpreh kryeministri Edi Rama.

“Kështu bëhet e mundur që bashkë me përfundimin e muajit të Ramazanit dalim në një tjetër nivel në luftën kundër armikut të padukshëm. Pra miqtë e mi të rinj dhe të dashur, është shumë e rëndësishme që ju që jeni këtu të bëni përpjekjet me ata që keni rrotull për t’iu thënë që vota ka një vlerë të madhe”, tha Rama, duke premtuar sërish lehtësim masash, në të ardhmen.

“Jemi gati për të bërë një kërcim të madh dhe gjëra që deri dje ishin të pamundura. Me një paketë masive investimesh të hapim porta të reja nga qielli dhe deti”, tha Rama sot në Burrel./a.m/NOA.al