Transmetuar më 13-04-2021, 21:55

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, e ftuar në studion e emisionit “Përballë”, u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kanë preferenca sa i përket kandidatëve apo partive politike, e shtoi se në interes të tyre, janë demokracia dhe organet gjyqësore.

Sipas saj fusha e lojës është e njëjtë për të gjithë, dhe që rregullat të zbatohen edhe në kohë, që të gjithë të kenë të njëjtat shanse.

“Mendoj se është mënyra e gabuar e të menduarit. Mendoj se nuk është ky roli ynë. Nëse po pyesni, a e vrasim mendjen për çfarë ndodh? Po, e vrasim mendjen. A kemi një kandidat të preferuar? Jo, nuk kemi. Nuk është ky pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Ajo për të cilën vrasim mendjen janë institucionet dhe proceset. Dhe, prandaj nuk flas për këtë kandidat apo atë kandidat, këtë apo atë parti, por flas për rëndësinë, rëndësinë kritike që ka që të sigurohemi që rregullat dhe proceset janë të ndershme, janë transparente, që fusha e lojës është e njëjtë për të gjithë, dhe që rregullat të zbatohen edhe në kohë, që të gjithë të kenë të njëjtat shanse. Kjo është ajo për të cilën kemi interes”, u shpreh Yuri Kim.