Transmetuar më 13-04-2021, 15:54

Noa.al raportoi më herët një informacion zyrtar nga Policia e Tiranës e cila njoftoi sot se një vajzë është rrëmbyer dje në mes të rrugës dhe është mbajtur forcërisht pasi u fut brenda një makine kundër dëshirës së saj.

I dyshuari i ngjarjes është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe tani janë zbardhur momentet e asaj që ndodhi. Përndjekja e M.F., nënë e një fëmije, kishte nisur dje në mëngjes kur 35 vjeçari A.K., banor i kryeqytetit, po e ndiqte nga pas ndërsa ajo po shkonte në punë te një stacion televiziv në Tiranë, raporton noa.al.

Sipas burimeve nga policia e Tiranës, deri në mbrëmje, duket se i dyshuari e ka pritur gjithë kohës që të dalë dhe aty nga ora 18, sapo e ka pikasur, e ka marrë me forcë dhe e ka futur në makinën e tij.

Shpulla dhe grushte në kokë, ka përballuar M.F., krahas kërcënimeve me jetë. Nuk ka mbaruar këtu. I dyshuari i ka futur duart në fyt, ajo është përpjekur të çlirohet dhe ka arritur të dalë nga makina. Në çast ka klithur për ndihmë, por është tërhequr zvarrë sërish brenda mjetit.

Dhuna ka vazhduar sërish derisa në një moment, e dëmtuara pa një makinë policie. Si nëpër filma, ka kapur timonin duke devijuar mjetin në rrugë. Në atë çast policia iu është vënë pas. Kur u afruan panë 35 vjeçarin që kishte kapur nga fyti ish të dashurën dhe nuk e lëshonte.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u njoftua sot se u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale "Përndjekja" dhe "Heqja e paligjshme e lirisë" i shtetasit A. K., 35 vjeç.

Policia tha sot se 35 vjeçari u prangos pasi ka përndjekur dhe ka marrë me forcë në mjetin e tij, ish të dashurën. /noa.al

Foto arkiv, policia e Tiranës duke arrestuar një të dyshuar në makinë