Transmetuar më 13-04-2021, 13:53

Kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste, pasi sipas tij, vetëm kështu Shqipëria do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë dhe do të ngjitet në një nivel tjetër.

Nga Përrenjasi ku zhvilloi një takim elektoral me qytetarë të kësaj zone, kreu i qeverisë tha se këtë ndryshim mund ta bëjë vetëm PS dhe njerzit e saj.

Kryeministri Rama akuzoi edhe opozitën se kërkon që ta kthejë vendin pas, duke u shprehur se Shqiptarët më 25 Prill duhet t’i besojnë punës dhe jo gjumit.

Fjala e plotë

Faleminderit për këtë mikpritje, edhe pse mbetem i shqetësuar për të gjithë ata atje, sepse nuk është mirë që, pavarësisht nevojës dhe pavarësisht dëshirës për të qenë të gjithë së bashku, të harrojmë se nuk jemi ende jashtë tunelit të pandemisë. Drita që po shohim në fund të tunelit po vjen duke u zmadhuar, është e vërtetë, por akoma nuk kemi dalë nga tuneli. Paralelisht me vaksinimin masiv duhet të vazhdojmë të kemi parasysh distancimin.

Sot është një ditë e shënuar për besimtarët myslimanë dhe unë përfitoj nga rasti që edhe drejtpërdrejt t’ju uroj me gjithë zemër që të kenë një Muaj të Madhërueshëm të Ramazanit, me një agjërim të pranuar. Përpara se të vija këtu vizitova Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë. Një perlë e trashëgimisë sonë kulturore që pas një pune disa vjeçare, milimetër për milimetër, është kthyer në shkëlqimin e dikurshëm dhe janë zbuluar të gjitha ato që fshiheshin nga shtresat e kohës.

Përkon për bukuri ky moment i fillimit të këtij muaji me këtë moment të jetës sonë të përditshme. Kujt i shkonte mendja se jo më larg se dy muaj më parë që ne do të ndjeheshim shumë më të lehtësuar dhe sot, kur të tjerët rreth e rrotull nesh po mbyllen, ne shtymë edhe orën. Tani kemi mundësinë ta shikojmë me shumë më tepër optimizëm të nesërmen, duke filluar nga sezoni turistik, i cili do të jetë shumë më i lehtë, me shumë më tepër të ardhura dhe shumë më tepër punë për njerëzit dhe për vendin tonë.

Unë nuk dua të zgjatem këtu me “kemi bërë”, se dua t’ju them që arsyeja pse unë jam këtu sot, arsyeja pse unë jam në këtë përballje dhe arsyeja pse unë këmbëngul që ne duhet të vazhdojmë përpara është se unë besoj që dielli i Shqipërisë nuk është i bukur vetëm për turistët e huaj, nuk është i bukur vetëm për një pjesë, por mund të bëhet i bukur për të gjithë shqiptarët. Sepse tani, ne po kalojmë më në fund hendekun e madh që hapi mes nesh dhe të ardhmes, goditja e tmerrshme e tërmetit në fillim dhe pastaj e pandemisë.

Është koha për të besuar jo duke parë ëndrra në gjumë, por për të besuar duke parë realitetin e fakteve, duke parë kantieret e hapura, duke parë projektet që po fillojmë, se shqiptarët do të fuqizohen ekonomikisht së ashku dhe secili. Është koha për të parë se sa shumë ka akoma për të bërë dhe sa shumë ka akoma për të fituar duke vazhduar të bëjmë gjënë e duhur, por edhe për të parë edhe sa shumë ka për të humbur. Është koha që gjithsecili ta kthejë për një moment kokën pas dhe të shikojë nga jemi nisur, për të kuptuar ku jemi dhe njëkohësisht për të besuar shumë fort se rruga që kemi bërë nuk është e mjaftueshme për t’u ndalur, por është një garanci se është rruga e drejtë dhe se është një rrugë ku duhet të vazhdojmë së bashku për të arritur aty ku duhet, aty ku duam dhe aty ku do të arrijmë së bashku.

E në këtë moment kur shkojmë në zgjedhje, secili ka një përgjegjësi që shkon përtej vetes, që shkon përtej pragut të vet të shtëpisë. Ka një përgjegjësi të shohë se ku është Shqipëria sot dhe se sa shumë Shqipëria sot është më e gatshme për t’u ngjitur shumë më lart. Është koha që secili të shohë se, nëse Shqipëria nuk ngjitet më lart, atëherë edhe jeta e secilit nuk mund të përmirësohet më shumë. Përmirësimi i mëtejshëm i jetës së secilit lidhet me ngjitjen më lart të vendit. Lidhet me punët e mëdha që kemi nisur dhe me punët e mëdha që do nisim. Lidhet me të gjithë atë paketë investimesh të mëdha, të huaja e vendase, private dhe publike, që tanimë pret vetëm kohën për t’u kthyer në një realitet të prekshëm për të gjithë shqiptarët. Në një realitet ku Shqipëria do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë dhe do të ngjitet në një nivel tjetër.

Shumë njerëz thonë “ç’na duhen aeroportet”. Dje isha me një gazetare që më thoshte “janë tepër, janë kot 4 aeroporte për madhësinë dhe popullsinë që ka Shqipëria”.

Në fakt, kjo është krejt e pavërtetë. Shikoni Kroacinë. 9 aeroporte me 4 milionë banorë.

Për të mos folur për Greqinë, për Turqinë.

Aeroportet, portet, investimet e mëdha që ne kemi nisur dhe do të vazhdojmë e që përbëjnë volumin më të madh të investimeve të bëra ndonjëherë në harkun e një 4-5-vjeçari në historinë tonë, sjellin shumë më tepër lëvizje dhe lëvizja sjell shumë më tepër punë për të gjithë. Sjell shumë më tepër angazhime për të ofruar shërbime, për të vazhduar të bëjmë investime.

Të jeni të bindur miqtë e mi, se në ndërkohë ju dëgjoni gjëra që nuk janë të reja, që i keni dëgjuar dhe më parë. Ndarja është shumë e qartë, jo mes atyre që themi, por mes atyre që tjetër thonë e tjetër bëjnë dhe atyre që thonë atë që bëjnë dhe bëjnë atë që thonë.

Ata që thonë atë që bëjnë dhe bëjnë atë që thonë, jemi ne, Partia Socialiste e Shqipërisë.

Çdo njeri që i ka kushtuar pasionin, i kushton kohën, i kushton jetën e tij dhe të familjes së vet, tokës dhe punës me bujqësinë e blegtorinë, punës me prodhimin nga toka, jetës dhe fitimit përmes prodhimit duhet ta dinë jo duke më dëgjuar mua, por duke parë çfarë ka ndodhur në Shqipërinë e këtyre viteve, se ndërkohë që tjerët flasin për BE-në si një destinacion, i cili është destinacioni ynë i patjetërsueshëm, bujqësia jonë, sektori i prodhimit, sektor i përpunimit, sektori i grumbullimit brenda gjithë sektorit të bujqësisë, janë tanimë pjesë e angazhimit me BE-në. Vetëm në 2 vitet e fundit janë 120 milionë të investuara në fshat për pika grumbullimi e përpunimi dhe të gjitha këto janë bërë me financimet e BE-së dhe me financimet e qeverisë shqiptare.

Një tjetër paketë e madhe është gati për të filluar të lëvrohet në vijim, e aprovuar përpara ca ditësh e që ambasadori i BE-së e anunçoi. Ndërkohë një tjetër masë e rëndësishme financiare bashkë me të do të vihet në dispozicion të të gjithë atyre që duan të vazhdojnë të prodhojnë, të rrisin fitimet, të rrisin eksportet. Ne e nisëm me eksporte bujqësore që ishin rreth 100 milionë dollarë në vit. Sot jemi në 400 milionë.

Në mandatin e tretë, pa asnjë dyshim do të shkojmë mbi 1 miliardë eksportet bujqësore, sepse e kemi shtruar rrugën dhe tani duhet vetëm të vazhdojmë, duhet të këmbëngulim, në mënyrë që rritja ekonomike e vendit të përkthehet në rritje ekonomike për çdonjërin, për çdo familje, në fshat apo në qytet.

Dua t’iu them të gjithë atyre që merren me një biznes të vogël se sot, ata kanë hyrë në vitin e parë të historisë së këtij vendi, qyshse u njoh e drejta e pronës dhe aktivitetit privat, pa taksa. E kanë taksën zero, e kanë TVSH-në zero. Kështu do ta kenë deri në vitin 2029, me Partinë Socialiste.

E pra, edhe atyre u them se ka ende shumë për të bërë, për ta përmirësuar mjedisin përreth, mjedisin ekonomik, mjedisin social, në mënyrë që konsumi të vazhdojë të rritet dhe ata të fitojnë më shumë. Por ama ka shumë për të humbur, nëse biem pre e sirenave  joshëse të jetës fushë me lule. E sirenave joshëse që vijnë vërdallë me bori e makina, me  flamuj e dy gishta dhe ndalojnë për të thënë do t’i japim 1000 euro këtij, 5000 euro atij, 20000 euro këtyre e 30000 euro atyre. I kemi parë,  me buri, me makina, me këngë e me valle, Xhaferrët, me Sudet dhe bijtë! Dhe çfarë pamë më pas?

Pamë atë që mos e paftë kurrë më asnjë familje e asnjë fëmijë i këtij vendi! Pamë se si ajo fjala që thotë populli “rruga e shkurtër të nxjerrë gjatë”, na nxori jo vetëm gjatë, po na nxori në fundin e një gremine nga ku vuajtëm për t’u ringritur.

Sot, ne jemi duke e tejkaluar hendekun që hapi mes nesh dhe të nesërmes tërmeti katastrofik, po edhe pandemia që gjunjëzoi botën. Kemi të gjitha arsyet për të besuar se përderisa ne ia dolëm me forcën e besimit, me forcën e durimit, me forcën e karakterit,  që të ringrihemi më të fortë dhe më të fortë të ringrihen të gjitha familjet që sot po kthehen nëpër shtëpi, përderisa po ia dolëm që të dalim hap pas hapi nga tuneli i pandemisë, atëherë ne jemi ata që së bashku mund t’ia dalim që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, që ta bëjmë Shqipërinë vendin ku ekonomia, rritet me punë, rritet me këmbëngulje, rritet me durim, rritet për të gjithë.

Unë dua një rritje ekonomike të fuqishme, jo vetëm për Shqipërinë në tërësi, po për çdo familje, çdo komunitet dhe kjo është e plotësisht e mundur. Fola për aeroportet, por edhe për portet, investimet më të mëdha që ndonjëherë mund të kemi imagjinuar, sot janë gati. Investimi në Portin e madh turistik të Durrësit mbi 2 miliardë; Investimi për  Portin turistik të Vlorës; Investimi në Portin e ri turistik të Sarandës që ka nisur nga puna, Porti tjetër në Shëngjin.

Është një infrastrukturë e tërë, e re modern, transformuese, që nuk është vetëm për disa, por është për të gjithë. Është infrastrukturë ekonomike, është një infrastrukture e rritjes së të ardhurave, është një infrastrukturë e rritjes se punësimit dhe jo vetëm e rritjes së punësimit, por e krijimit të vendeve të punës të paguara më mirë. Çka është edhe shqetësimi  më i madh i shumëkujt, sidomos i të rejave dhe të rinjve.

E ne ndërkohë, të gjithë prindërit  bëjnë mirë ta mendojnë se sot investimet e tyre për shkollimin dhe për studimin e fëmijëve nuk shkojnë më dëm. Siç shkonin deri disa vite më parë , kur prindërit çdo kursim e vinin në dispozicion të vajzës dhe djalit që të bënte studimet në universitet dhe në fund diploma ishe pa asnjë vlerë. Universitete që i rripnin nga lekët familjet e zakonshme shqiptare, e që në fund rrisnin vetëm radhët e të rinjve pa punë. Duke iu krijuar iluzionin se do bëheshin të gjithë juristë, se të gjithë  do shkonin do punonin nëpër zyra dhe shumica dërrmuese mbeteshin në kafene, e detyrimisht shtyheshin për të marrë rrugën e për të ikur fare.

E kuptoj shumë mirë se sa e rëndësishme është të vazhdojmë me arsimin profesional, me kolegjet profesionale, sepse  nuk është mëkat për një vajzë e për një djalë që largohet në një vend diku tjetër,  për të krijuar një perspektivë për vete, një shans për veten, dua që edhe kur të largohen të rinjtë të kenë një zanat, të jenë të armatosur me dije dhe me aftësi dhe të kenë atje një vend të denjë në tregun e punës dhe mos të bien pre e trafikantëve që edhe një herë nga e para rrjepin familjet e tyre, për  t’i lënë pastaj rrugëve pre e rrjeteve kriminale.

Nuk është e lehtë e s’ka qenë kurrë e lehtë dhe ato vende që ne i shohim me aq adhurim, kanë ardhur këtu ku janë me shumë punë, me shumë durim, me shumë besim, me shumë këmbëngulje. Janë ngjitur edhe kur lodhja u ka thënë ndalo. Kanë vazhduar edhe kur lodhja u ka thënë pusho, janë rrëzuar, por prapë janë kanë dalë edhe kur lodhja u ka thënë të kthehen mbrapa.

25 prilli është një provë e karakterit shqiptar, e karakterit për të cilin flasim e flasim e për të cilin i admirojmë këngët, e karakterit të cilin e dëgjojmë vazhdimisht në familje që fëmijë, nga prindërit, nga gjyshërit, e karakterit që duhet ta provojmë, se e kemi dhe jemi të gatshëm ta vejmë në dispozicion të këtij vendi në 25 prill.

Prindërit sot nuk kanë nevojë të kenë një mbiemër të njohur, të jenë të pasur apo të kenë lidhje krushqie me politikane, për t’i  çuar fëmijët në universitet aty ku të gjithë e meritojnë, sipas rezultateve që ka falë mundimit që ka bërë. Deri dje, hyrja në universitet ishte një pazar i madh dhe vendet kryesore në fakultetet më të kërkuara i zinin ata që kishin një mbiemër të njohur, ata që kishin prindër të pasur, ata që kishin lidhje me politikën.

Sot, me reformën tonë dhe me sistemin e ri e hyrjes në universitet nuk ka më asnjë ankesë, por s’ka më edhe asnjë mundësi që fëmijën e një çobani në mal, që e meriton, ta parakalojë fëmija e një deputeti që nuk e meriton. Të gjithë hyjnë sot në universitet sipas meritës. Ndërkohë për të gjithë po transformojmë të gjithë infrastrukturën e konvikteve, universiteteve, por sërish nuk është mjaft. Ne do të bëjmë çmos në vitet që kemi përpara, për të sjellë universitetet e huaja në Shqipëri, për t’i integruar me universitetet tonë, për të bërë të mundur që të rinjtë e këtij vendi mos të kenë nevojë të shkojnë në një universitet të huaj, por ta gjejnë atë universitet këtu e të studiojnë këtu me programet e atij universiteti dhe të marrin një diplomë nga ai universitet. Kjo është plotësisht e mundur dhe do ta bëjmë së bashku.

Prandaj prindërit e fëmijëve, vajzat e djemtë që duan të studiojnë këtu, në nivelet më të larta të studimeve të shkollimit me cilësi më të mirë, në 25 prill nuk duhet të thonë “varja se këta janë të gjithë njësoj”. Po të ishim të gjithë njësoj, edhe Shqipëria sot do të ishte njësoj, edhe Përrenjasi do të ishte po njësoj, do ishte si kur vinim para disa vitesh e ku nuk dinim ku të ndalonim se në çdo hap kishte nga një gropë. Natyrisht që sot, Përrenjasi është më i mirë se dje, por Përrenjasi nesër patjetër që duhet të jetë më mirë se sot, prandaj jemi këtu dhe prandaj duhet të vazhdojmë sëbashku.

Kemi bërë shumë, ka shumë për të bërë , por mos harroni se ka edhe shumë për të humbur. Për ata që me të drejtë presin më shumë duhet të garantojnë se çfarë kemi bërë nuk do ta marrë lumi, të garantojnë që të këqijat nuk do të kthehen më në jetën tonë, të garantojmë që rindërtimi i shtëpive, i lagjeve të reja do të mbarojë në kohë, duhet të garantojmë që vaksinimi masiv të mbarojë në kohë, por krejt koha përpara të jetë një kohë që ne së bashku mundemi dhe ne sëbashku do t’ia dalim. Të jetë një kohë që ky vend të mos jetë i mrekullueshëm për turistët dhe vetëm për ata që kanë më shumë, por dielli i këtij vendi të ngrohë këdo, duke qenë ekonomia e këtij vendi në funksion të gjithësecilit.

Ne nuk jemi partia dhe qeveria që rrit taksa për ata që kanë më pak. Ne jemi ata që rrisim taksat për ata që kanë më shumë. Ndërkohë që ata të cilët kërkojnë të rikthehen pasi s’kanë bërë asnjë ndryshim, asnjë reflektim dhe janë po ata, përveçse këtë herë kanë vendosur përpara dikë që bën rolin e dhëndrit, por që kontrollohet nga ata të cilët i rrinë pas.

Thonë që do rikthejnë Taksën e sheshtë. Atëherë unë i them sipërmarrësve të vegjël, si ka mundësi, taksën e keni sot zero, TVSH-në e keni sot zero, doni Taksën e sheshtë 9%? Për çfarë?

Jeni demokratë, nuk po ju them të bëheni socialistë, po ju them që në 25 prill të mendoni si shqiptarë, si familjarë, si njerëz që interesin e vendit dhe interesin e tyre e bëjnë bashkë dhe nuk bien pre e interesave të politikës të njërit apo tjetrit.

Kjo që po bëj unë nuk është politikë, por thjesht dhe vetëm thirrja për t’i lënë mënjanë ndasitë, për t’i lënë mënjanë tifozllëkun dhe përçarjen dhe për të menduar si ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë ku fëmijët të mos jenë krenarë vetëm për historinë, për bukuritë e natyrës, për traditën familjare, për mikpritjen, për nënën dhe për babën, po të jenë krenarë për kushtet e shtëpisë.

Kjo jo vetëm është e mundur, por është e gjitha në dorën tonë. Prandaj mos ta lejojmë fatin tonë, fatin e këtij vendi, fatin e fëmijëve tanë që të kthehet në mish për top në duart e atyre që kanë dalë nëpër Shqipëri dhe thonë “para 8 vjetësh ndodhi një aksident”. D.m.th, para 8 vjetësh, populli lajthiti dhe i largoi ata nga zyra dhe tani i kërkojnë popullit të korrigjojnë gabimin e para 8 viteve. Çka do të thotë që ata do të përsërisin të njëjtën gjë. I keni provuar dy herë dhe populli thotë të përsërisësh të njëjtën gjë duke pritur rezultate të tjera, do të thotë të jesh budalla.

Miqtë e mi, motra dhe vëllezër, duhet ta mbyll këtë takim duke ju lënë një porosi. Ne ju kemi sjellë këtu një vajzë, e cila nuk ka nevojë për prezantim. Një vajzë, e cila mishëron gjithçka të virtytshme dhe gjithçka që e bën këtë komunitet njerëzish, një komunitet njerëzish dinjitoz. Ju kemi sjellë një vajzë dinjitoze, që jo thjesht ka një histori të dhimbshme në familjen e vet, por që është pasuese e bindur dhe besimplotë e amanetit të të atit.

Dhe që është një nga shembujt, besoj unë, kuptimplotë të vullnetit tonë për ta çuar deri në fund luftën për drejtësi. Lufta për drejtësi, po të ishte aq e lehtë dhe reforma në drejtësi po të ishte thjesht një fjalë goje apo thjesht një miratim aktesh ligjore, jo ne, por shumë vende të ngjashme me ne do ishin bërë sa hap e mbyll sytë. Prandaj mos e harroni që Gjermania, Franca, Italia, Greqia po të doni, nuk janë bërë as për 3, 4 e as për 7 vjet dhe deri para 7 vjetësh nuk jetonin në errësirë sepse vidhnin dritat e njëri-tjetrit, nuk jetonin në etje sepse shpërdoronin ujin e njëri-tjetrit.

Lajmi i mirë është që ne jetojmë në një kohë që nuk na duhen dekada dhe shekuj për të arritur aty ku duam. Na duhet vetëm një pasion iI madh atdhetar, na duhet vetëm një këmbëngulje e madhe qytetare dhe na duhet vetëm një bashkim i madh njerëzish që duan t’ia dalin dhe duan të arrijnë aty ku duhet sepse është koha e teknologjisë.

Koha kur shteti po transformohet i gjithi nga një mal zyrash e sportelesh që po t’i mbledhësh bashkë bëhen sa Himalajet, në një sistem që është në telefonin tuaj, është në kompjuterin tuaj, është ende për t’u ndërtuar deri në fund. Por nuk duhen dekada, duhen edhe pak vite që përfundimisht çdo qytetar shqiptar ta ketë shtetin në xhep, ta ketë hipotekën në xhep, ta ketë çdo shërbim që merr nëpër sportele në xhep dhe që mos të ketë nevojë që të lëvizë fare nga shtëpia, por thjesht dhe vetëm aplikon dhe merr mbrapa atë që kërkon si shërbim./K.B/NOA.al