Transmetuar më 13-04-2021, 09:41

Kryeministri i Japonisë Yoshihide Suga ka konfirmuar se vendimi i fundit i qeverisë ka miratuar derdhjen e më shumë se një milion ton ujë të ndotur nga centrali bërthamor i dëmtuar Fukushima në det.

Mediat e huaja bëjnë me dije se ky është një vendim që pritet që të provokojë një valë reagimesh nga vendet e tjera në rajon, veçanërisht Kinën dhe Korenë e jugut.

Vendimi sfidon reagimet jashtë dhe brenda, veçanërisht nga ana e punëtorëve të peshkimit në Fukushima, të cilët e kundërshtojnë idenë që në fillim.

Vendimi i shpallur nga Suga i jep fund dialogut që ka vazhduar për shtatë vitet e fundit se si autoritetet do të trajtojnë ujin e ndotur nga shiu, ujërat nëntokësore dhe injeksionet e nevojshme për të ftohur bërthamat e reaktorit në shkrirje, pas cunamit e 11 Mars 2011.

Qeveria japoneze ka konfirmuar se procesi i shkarkimit të ujit në det do të fillojë në rreth dy vjet dhe pritet të zgjasë dekada.

Uji do të duhet të trajtohet për të hequr izotopet e dëmshme dhe për t’u holluar në mënyrë që të mos shkelë standardet ndërkombëtare përpara se të hidhet në det, siguroi ajo.

Çështja e ujit të ndotur në termocentralin nuklear është një nga çështjet më të mprehta për qeverinë japoneze, e cila është në proces të çaktivizimit të centralit Fukushima, i cili do të zgjasë për dekada. /S.H /NOA.al