Transmetuar më 13-04-2021, 09:29

Një mashtruese greke e dënuar me vendim gjykate ka livadhisur lirshëm në Shqipëri dhe ka përdorur Vlorën si bazë strehimi, por nuk dihet nëse ka vijuar edhe këtu "profesionin" e saj.

Noa.al mëson nga burime policore se mashtruese greke është Athanasia Kyriakou, 39 vjeçe. Edhe pse ishte në kërkim nga autoritetet greke, 39 vjeçarja ishte pajisur me letra shqiptare dhe figuron banuese në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë.

Athanasia Kyriakou është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Athina, pasi Gjykata e Larisës, Greqi, me vendimin e datës 06.03.2017, e ka dënuar me 2 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi", parashikuar nga Kodi Penal grek.

Nisur nga ky kalvar me drejtësinë i mashtruese greke, policia shqiptare është detyruar të bëjë arrestimin provizor në Vlorë të 39 vjeçares.

"Arrestimi provizor i saj u bë nga strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, me qëllim ekstradimi drejt Greqisë", thanë zyrtarët e policisë lokale.

Tani pritet që Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Athinën, të bëjnë procedurat për ekstradimin e kësaj shtetaseje drejt Greqisë. Sakaq nuk dihet asgjë se çfarë ka bërë këto kohë grekja e dënuar për mashtrim.