Transmetuar më 13-04-2021, 09:17

I dyshuari është shofer furgoni. Bëni kujdes kur udhëtoni nga Tirana drejt rretheve dhe anasjelltas 

Në policinë e Tiranës ka mbërritur denoncim konkret. S.U, 18 vjeçe, i tha punonjësve të policisë në Komisariatin nr 1 se po përballej gjithnjë e më shumë me një burrë i cili e ndal në rrugë me fjalët: "Hajde të bëjmë seks".

Vajza pohon se ngacmimet nuk kanë të sosur nga burri maniak edhe pse ajo është në moshë fare të re. Sipas saj, këto ndodhin sa herë ajo kalon pranë terminalit të autobusëve ku i dyshuari ndodhet çdo ditë.

Telashet nuk ndalen pasi vajza, e detyruar të përshkojë çdo ditë rrugën për nevoja familjare, përballet me ngacmuesin që bën përpjekje të avancuara, duke e kapur dhe nga krahu.

Në denoncimin e saj, 18 vjeçarja pohon se është e shokuar nga këto incidente dhe shton se përballet me makthe dhe gjumë të trazuar gjatë natës.

Burime nga policia e Tiranës bënë të ditur se kanë identifikuar një 64 vjeçar të dyshuar si autor të kësaj vepre penale.

Sipas të dhënave hetimore, B.N, punon me linjën e fugonëve që lidh Tiranën me juglindjes e vendit, raporton noa.al.

I dyshuari është shoqëruar në polici, por ai nuk ka pranuar të ketë ngacmuar apo përndjekur 18 vjeçaren që ka bërë denoncim ndaj tij.

Në këtë pikë, policia thotë se është e detyruar të marrë pamje të kamerave të sigurisë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.

Nëse përballeni me episode të tilla kërkoni ndihmën e policisë në 127 dhe denonconi pranë noa.al në Facebook ose WhatsApp.  /noa.al