Transmetuar më 13-04-2021, 07:29

Policia e Knoxville në ShBA ka raportuar viktima të shumta si pasojë e të shtënave me armë në një shkollë të mesme, duke përfshirë një oficer policie.

Ngjarja ka ndodhur të hënën pasdite dhe skena vijon të mbetet aktive, sipas policisë.

Zyrtarët e shkollës konfirmuan për mediat lokale sulmin e ndodhur në shkollën e Mesme ‘Austin-East’.

Incidenti që u regjistrua pas orës 15 në shkollën Austin-East të hënën, ishte episodi më i fundit në një seri masakrash me armë zjarri që janë regjistruar në SHBA gjatë javëve të fundit. Policia e Noksvillit njoftoi se mjekët thonë se polici i plagosur pritet të mbijetojë.

Hetuesit nuk kanë bërë publik identitetin e të dyshuarit apo të viktimës që humbi jetën, por thanë se të dy ishin meshkuj. Nuk është e qartë nëse viktima ishte nxënës i shkollës. “Bazuar në hetimet paraprake, Departamenti Policor i Noksvillit shkoi në shkollën e mesme Austin-East pasi mori njoftimin se një i dyshuar mashkull ishte i armatosur në mjediset e shkollës,” tha departamenti policor përmes një postimi në Facebook.

“Kur policët iu afruan të dyshuarit, pati shkëmbim zjarri. Një polic u qëllua të paktën me një plumb dhe u dërgua në qendrën mjekësore të Universitetit Tenesi me plagë që nuk mendohet se përbëjnë rrezik për jetën. Një mashkull u deklarua i vdekur në skenën e ngjarjes, ndërsa një tjetër është ndaluar ndërsa vazhdojnë hetimet”.

Fillimisht policia kishte njoftuar se kishte “disa viktima” nga sulmi. “Ndërtesa e shkollës është nën kontrollin e autoriteteve dhe nxënësit që nuk ishin të përfshirë në këtë incident janë kthyer pranë familjeve,” tha shefi i departamentit të arsimit për qytetin Noksvill, Bob Thomas.

Efektivët policorë kanë vendosur një perimetër sigurie dhe kanë krijuar një pikë takimi për prindërit dhe fëmijët e tyre në një fushë bejsbolli prapa shkollës së mesme. /S.H /NOA.al