Transmetuar më 12-04-2021, 10:17

Një borxh i pashlyer në Vlorë ka precipituar në dhunë fizike dhe pengmarrje të përkohshme, raporton noa.al.

Në lidhje me këtë ngjarje policia lokale tha se janë arrestuar në flagrancë 2 djem, të akuzuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit: S. K., 20 vjeç dhe A. M., 23 vjeç, banues në Vlorë.

Hetimi nxori se dy djemtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar fizikisht shtetasin A. I., 27 vjeç, banues në Vlorë.

Jo vetëm kaq, 27 vjeçarin e kanë mbajtur peng për rreth 30 minuta në banesën e shtetasit S. K., me pretendimin se i kishte borxh shtetasit A. M., një sasi lekësh të cilën ende nuk ia kishte shlyer.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.