Transmetuar më 12-04-2021, 09:01

Një person i dyshuar si qitës me snajper është arrestuar në Vlorë e bashkë me të janë sekuestruar një armë zjarri snajper, një sasi municioni luftarak, dhjetëra doza me lëndë narkotike kanabis dhe një palë dylbi optike.

Kapja e snajperistit erdhi pasi u zhvillua operacioni policor i koduar "SIG", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, raporton noa.al.

Policia tha se kishte marrë informacione në rrugë operative se në lagjen “Partizani”, Vlorë, një shtetas mbante në banesë, armë zjarri pa leje, si dhe ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Nisur nga të dhënat u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar "SIG", si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klaudio Xh., 29 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri snajper që shihni më poshtë, 64 fishekë dhe një palë dylbi optike.