Transmetuar më 11-04-2021, 19:47

“Kosherja” është spektakli më i ri në ekranin e “Abc News”, i cili ka mbledhur aktorë të humorit në vend.

Shumë emra u diskutuan se do të bëheshin pjesë e tij, ndër ta edhe Olsi Bylyku.

Në fakt ky i fundit nuk ju bashkua skuadrës së “Kosheres” duke vazhduar punën e tij në “Klanifornia”.

Shumë pikëpyetje mund të ngrihen pas këtij vendimi, duke qenë se Olsi është një nga miqtë më të mirë të Bes Kallakut, që është aktualisht prezantues i “Kosheres”.

Së fundmi Olsi ishte i ftuar në emisionin “ExPuls” në “Ora News”, ku tregoi se ka pasur një arsye shumë të fortë pse e refuzoi ofertën e spektaklit të ri të humorit.

“Po më ka ardhur ofertë, por nuk e pranova, sepse mendova që është një kosto për mua në lidhje me stabilitetin artistik. Kam pasur 6 vite karrierë dhe unë kam ndërruar 3 emisione. Sigurisht që është kënaqësi të punosh me Altin Bashën, Bes Kallakun dhe gjithë aktorët e Kosheres, por e gjithë kjo u bë për shkak të stabilitetit tim artistik, që për mendimin tim në 6 vite të ndërrosh 3 emisione nuk krijon një stabilitet se ku të shohin njerëzit ty vazhdimisht. Kështu që mendova që do mbarojë një cikël, ose ndoshta ai cikël nuk do vijë kurrë, sepse mund të jem gjithmonë në Klanifornia, por në një të ardhme sigurisht të gjitha ofertat janë të pranueshme, për sa kohë ne jemi kthyer si futbollistët. Unë kam pasur ofertë edhe nga ‘Portokallia’ kur kam qenë në Klan, por sapo kisha shkuar në Klan dhe sigurisht lëvizja ishte e pamundur”, tha Olsi, duke shtuar se oferta e “Kosheres” ishte goxha e majme.